Qindra turistë janë sëmurur rëndë pas pushimeve në Ishujt e Kepit të Gjelbër, ndërsa autoritetet shëndetësore britanike po hetojnë një rritje shqetësuese të infeksioneve të rënda të lidhura me këtë destinacion popullor turistik. Familja e një shtetaseje britanike që humbi jetën pas kthimit nga pushimet u ka bërë thirrje udhëtarëve që t’i marrin seriozisht paralajmërimet për higjienën, raporton Sky News.
Mes tetorit dhe dhjetorit të vitit të kaluar, katër turistë britanikë kanë ndërruar jetë pasi u sëmurën gjatë qëndrimit në Kepin e Gjelbër. Mes viktimave është edhe 64-vjeçarja Karen Pooley nga Gloucestershire, e cila u sëmur gjatë një pushimi dyjavor në tetor. Gjatë sëmundjes, ajo ra në dhomën e hotelit dhe theu këmbën, ndërsa pas katër ditësh në një klinikë lokale u transferua në Tenerife, ku ndërroi jetë një ditë më pas.
“Karen i kaloi ditët e fundit në dhimbje të tmerrshme”, deklaroi kunata e saj Kim Price, duke shtuar se familja është e shkatërruar dhe e vendosur të paralajmërojë të tjerët që të mos përjetojnë të njëjtën tragjedi. Vëllai i saj, Keith, theksoi se “edhe një viktimë e vetme është tepër” dhe u bëri thirrje turistëve të informohen mirë dhe të sigurojnë mbulim të plotë shëndetësor para udhëtimit.
Së fundmi, rreth 200 turistë të tjerë kanë raportuar sëmundje serioze pas udhëtimeve në këtë arkipelag, duke e çuar në rreth 1700 numrin e personave që kanë nisur procedura ligjore kundër kompanisë turistike. Sipas Agjencisë Britanike të Sigurisë Shëndetësore, rastet e “shigelozës” janë në rënie, por infeksionet me salmonelë vazhdojnë të rriten, me 158 raste të regjistruara që nga tetori 2025, shumica të lidhura me udhëtime në Kepin e Gjelbër.

