Spiunazh, rrezikim i rendit kushtetues të Serbisë dhe shtypje të tubimeve publike është aktakuza që ministri serbi i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin duhet të ballafaqohet.
Sipas avokatit Çedomir Stojkoviq, i cili e ka ngritur këtë kallëzim penal, dyshimet janë se Vulin se bashku me shërbimet inteligjente të Rusisë ka ndikuar ilegalisht në zgjedhjet serbe.
“Për shkak të dyshimit për të ndikuar ilegalisht në zgjedhjet në Serbi, së bashku me shërbimin inteligjent të Rusisë, kam bërë kallëzim penal kundër ministrit Aleksandar Vulin për spiunazh, rrezikim të pavarësisë së Serbisë dhe parandalimin e tubimeve publike”, thuhet në njoftimin e avokatit Stojkoviq në Twitter.
Kujtojmë se Vulin gjatë një takimi me sekretarin rus të Sigurisë Kombëtare, Nikolai Patrushev i kishte dorëzuar video të takimeve të liderëve të opozitës ruse në Beograd, pas të cilave është arrestuar opozitari dhe aktivisti Andrei Pivovarov.
Këto informacione ishin siguruar nga Agjencia serbe e Informacionit të Sigurisë (BIA).
Së voni janë publikuar informacione se Rusia dhe Serbia në fshehtësi kanë formuar një grup të përbashkët pune për të luftuar kundër “revolucioneve me ngjyra”, detyra e të cilit është të shtyp demonstratat dhe organizimet masive të qytetarëve.
Përveç kësaj, një organ i përbashkët i autoriteteve serbe dhe ruse është caktuar që të mbikëqyrë liderët e opozitës, mediet e pavarura dhe organizatat e shoqërisë civile.
Për më tepër këto dy vende, janë duke u munduar aktivisht që protestat qytetare dhe kundërshtimin e ndryshëm opozitar dhe të opinionit publik në vendet e tyre, ta lidhin pa fakte me ndikimin e aktorëve të ndryshëm të huaj, me qëllim të njollosjes së aktiviteteve që kundërshtojnë qeveritë e tyre. /Telegrafi/