Roman Abramovich ka ngritur flamurin e Bermudës në dy prej superjahteve luksoze në pronësinë e tij, duke i dhënë kështu mbrojtje “britanike”, edhe pse është sanksionuar edhe nga Mbretëria e Bashkuar.
Oligarku rus, i cili është larguar nga Anglia pasi u fut në listën e personave të sanksionuar nga ky shtet si kundërpërgjigje për pushtimin e Ukrainës nga Rusia, i ka regjistruar të dy jahtet e tij në Bermuda, territorin britanik që ndodhet në Karaibe.
Mediat britanike kanë fotografuar jahtin Solaris në Tivar të hënën, ndërsa sot raportohet se jahti po lundron në Detin Jon, pranë ishullit grek të Kefalonisë.
Flamuri i Bermudës, një fushë e kuqe me flamurin e Mbretërisë së Bashkuar në cep, i siguron jahteve të Abramovich jo vetëm mbrojtje nga ushtria britanike në rast nevoje, por edhe mbështetje nga konsullatat britanike në të gjithë botën. Jahti ndodhej në Barcelonë të shtunën e kaluar, por u largua prej andej pasi biznesmeni duket se e parashikoi se do të përfundonte në listën e të sanksionuarve.
“Flamuri është një prej emblemave më të admiruara në det të hapur dhe çdo mjet lundrues gëzon mbështetjen e Marinës Mbretërore”, thuhet në faqen zyrtare të qeverisë britanike. Sipas rregullave, Abramovich gëzon edhe të drejtën për të kërkuar ndihmën e autoriteteve britanike, nëse jahtet e tij kërcënohen nga sanksionet e një shteti tjetër.
Ian Hodge, presidenti i Shoqatës së Marinës Tregtare Britanike, e quajti mbajtjen e këtij flamuri nga jahtet e Abramovich si një “turp”. Ai u bëri thirrje autoriteteve të Bermudës që të çregjistrojnë jahtin në mënyrë që të mos ketë mundësi të mbajë më atë flamur.