Ish-futbollisti i Kroacisë, Ivan Klasniq, së shpejti pritet të përfitojë tre milionë euro dëmshpërblim, kanë shkruar të shtunën mediat gjermane. Pritet që gjykata në tri javët e ardhshme të mbajë seancë dhe të marr vendim në të mirë të tij.
Pas 13 vjetësh mosmarrëveshje me mjekët e Werder Bremenit, duket që Klasniq ka fituar betejën për shkak të së cilës është dashur të ndërpres karrierën. Ai ka vite që ka telashe serioze me shëndetin.
Ish-sulmuesi i Werderit, ka paditur dy mjekët e Werderit, Goetz Dimanski dhe Manju Guha, që nuk kanë vërejtur me kohë sëmurjen që ka pasur dhe që ka qenë e mundur të diagnostikohet përmes analizës së gjakut.
Lënda e Klasniqit ka arritur në gjykatë në vitin 2018. Janë evidentuar një numër lëshimesh dhe gabimesh në punën e mjekëve të Werderit.
Është vlerësuar se për mosfunksionimin e veshkave të Klasniqit është ditur që prej vitit 2002. Tani ai pritet të marr kompensim për dhimbjet dhe telashet që ka pasur, kur mësoi në vitin 2007 se duhej të bënte transplantim të veshkave.
Klasniq (40) është operuar tri herë. Trupi i tij ka refuzuar veshkën e babait dhe nënës, ndërsa transplantimi është bërë vetën në tentimin e tretë.
Klasniq është i lindur në Gjermani, ndërsa ka luajtur 41 ndeshje për Kroacinë. Karrierë ka bërë te St Pauli, Werder Bremeni, Nantesi, Boltoni dhe Mainzi. Për Werderin ka luajtur prej vitit 2001 deri në vitin 2008.