Klinaku: Termi “ndarje e Kosovës” u aktualizua nga liderë shqiptarë

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, thotë se termi i vjetër i nacionalizmit serb “ndarje e Kosovës” ka mbetur ende vetëm nëpër dhëmbët e disa shqiptarëve.

Përmes një postimi në Facebook, Klinaku thotë se këto politika kanë ardhur nga personalitete të nacionalizmit serb.

“Gjatë historisë së pushtimit të Kosovës nga Serbia janë të njohura edhe teoritë për ndarjen e Kosovës. Këto politika kanë ardhur nga personalitete të ndryshme të nacionalizmit serb zakonisht kur ata janë munduar të analizojnë “më realisht” se sa pushteti i kohës në Serbi. Dhe rezoni i tyre ka qenë i qartë: Po e humbasim Kosovën gjithsesi, prandaj le ta ndajmë”, shkruan Klinaku.

Pas luftës së vitit 1999 dhe fitores së Kosovës, shkruan Klinaku, teoria për ndarjen e Kosovës është zhdukur edhe nga gjuha e nacionalistëve me agresivë serbë si diçka e pamundur tanimë.

“Për fat të keq, termi “ndarje e Kosovës” është aktualizuar nga disa politikanë e liderë politikë shqiptarë, të cilët në luftë për t’i goditur kundërshtarët politikë, në luftë për një grusht vota më shumë e kanë riaktualizuar këtë term të nacionalizmit serb”, thotë Klinaku nga Lëvizja për Bashkim.

Tutje, Klinaku thotë se ndarja e Kosovës është varrosur në vitin 1999.

“Mund të jesh për ose kundër shkëmbimit të territoreve, mund të jesh për ose kundër ripërcaktimit të kufijve, mund të jesh për ose kundër korrigjimit të kufijve, por sa herë e zë në gojë “ndarjen e Kosovës” bën dëm dhe dukesh naiv e qesharak. Është diçka si lufta e Don Kishotit me mullinjtë e erës! Ndarja e Kosovës është varrosur më 1999”, përfundon Klinaku.

Share This Article