Albania
Klodiana Lala: Një personazh i krimit u ofrua të jepte dëshmi për zhdukjen e Vis Martinajt, por nuk e pranuan!
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për konfiskimin e pasurive të Ervis Martinajt, të kërkuar nga SPAK dhe që pritet të miratohet nga gjykata.
Lala foli edhe për zhdukjen e Martinajt, duke deklaruar se një personazh i botës së krimit ka dashur të japë informacion për Martinajn, por çuditërisht atij nuk i është dhënë mbrojtje.
“Është rrjedhë normale e një procesi hetimor të nisur, që në momentin që ka një subjekt për krimin e organizuar, si Ervis Martinaj, nis edhe hetim pasuror. Në rastin konkret ka rezulatuar se 31 pasuri, që janë kryesisht shoqëri tregtare, Martinaj merrej me lojrat e fatit që kontrollonte pjesë dërrmuese të tyre, pasuri të paluajthsme si vila në Surrel, truall, etj, që janë të pambuluara financiarisht. Konfiskimi është faza e fundit e procesit, nëse kjo miratohet edhe në shkallët e tjera, këto pasuri kalojnë në llogari të shtetit shqiptar. Në total është shumë e madhe parash, 10-12 milionë euro. Në informacionet që kam patur, Ervis Martinaj ka transferuar pasuri jashtë vendit dhe ka investuar në kriptomonedha, që kapacitetet nuk janë të larta për t’u identifikuar. Në rastin e Franc dhe Hajdar Çopjas duhej ndihma e belgëve.
Hetimi për fatin e Martinajt, duhet të jetë dosje ekzkluzive, Martinaj nuk ishte kriminel i rëndomtë, por njeri që penetroi thellë në krim dhe në politikën shqiptare. Në këtë aspekt, hetimi për të… Ka qenë një personazh i botës së krimit që është ofruar për të dhënë dëshmi, kur ishte Balla ministër, për fatin e Martinaj, por ai personazh nuk e mori statusin e të mbrojturit, sepse nëse do të gjendej, ai thoshte se Martinaj nuk jeton më… Nuk e di pse nuk iu dha mbrojtje. Fokusi duhet të jetë këtu për të zbërthyer të gjithë misterin. Një gjë e di me siguri, shfaqja e fundit e Martinaj, është në një kamera sigurie, Martinaj është marrë nga persona të veshur komando, forca speciale, pra në momentet e para familja ka pritur rreth 24 orë që ti drejtohej policisë, sepse ka shpresuar në ato orë të para që policia do të dilte me deklaratë që ishte i arrestuar. Vonesa më pas, kam bindje që familja e ka parë videon, sepse në informacionet që kam patur, di që familja ka bërë hetim të thellë nga hetues privatë dhe ekspertë të specializuar.
Kur Dritan Rexhepi u arratis, kam patur informacione se mbështetej nga një grup në zonën e Durrësit. Edhe për rastin e Ervis Martinaj, janë ofruar njerëz, apo të dhëna, ka qenë një i huaj që bënte zhytje në det, ofroi të dhëna, që mendohej se mund të zgjidhej misteri, personi që bënte zhytje, kishte arritur të filmonte një trup të pajetë në Potam. Për 3-4 muaj është kërkuar me polumbarë dhe me forma të specializuara, me shpresë se mund të gjendej trupi i Martinajt. Pra ka patur shumë detaje. Bie dakord që mbase nuk janë edhe të interesuar për ta zbardhur këtë histori. Është personazh shumë interesant i përzier shumë me politikë, krim, biznes e me rradhë”, tha Lala.
Albania
“Kemi raketa Javelin dhe tre anije patrulluese”, Rama: Kemi sot ushtrinë më të mirëpaguar, ia kalojmë edhe Serbisë
Gjatë konferencës vjetore me gazetarët, kryeministri Edi Rama foli edhe për ushtrinë dhe sistemin mbrojtës.
Ai u shpreh se vendi ynë ka raketa Javelin dhe tre anije patrulluese.
Ndër të tjera kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria ka sot ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, duke ia kaluar kështu edhe Serbisë.
“Kemi ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, përfshi edhe Serbinë. Ambicia jonë është që ushtria jonë të arrijë në mesataren e vendeve të NATO-s sa I përket anës financiare. Ky vit na gjen me një sistem raketor Javelin, na gjen me tre anije patrulluese që I kemi dhuratë nga Italia, na gjen me radarë falë bashkëpunimit me Francën. Ajo që mbetet ambicia kryesore është Shqipëria një vend prodhues i industrisë ushtarake.
Do prodhojmë dronët luftarakë dhe sistemet antidron. Në 2026 do të shihni edhe produktet e para. Ne vazhdojmë punën për të bërë kontrata të tjera për industrinë detare dhe ajrore”, u shpreh kryeministri Rama.
Albania
Si u krijua aleanca mes mafies shqiptare dhe karteleve të drogës në Meksikë
Nga Victor Manuel Sanchez Valdes, NORO ESTE
Njoftimi i Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për vendosjen e sanksioneve ndaj familjes Hysa, e cila është me shtetësi meksikane, por me origjinë shqiptare – për akuzën e pastrimit të parave në favor të fraksionit “Mayiza” të Kartelit të Sinaloas, i shtohet një liste të gjatë lajmesh që lidhin kartelet meksikanë me klane kriminale me origjinë shqiptare dhe ngre pyetjen: pse është bërë kaq e zakonshme lidhja mes organizatave të krimit të organizuar të Meksikës dhe Shqipërisë?
Në Meksikë dihet pak për mafien shqiptare, por ajo është shumë e rëndësishme në nivel ndërkombëtar, pasi, së bashku me ’Ndrangheta-n italiane, përbëjnë dy mafiet që kontrollojnë trafikun e drogës në Evropë dhe, për rrjedhojë, janë ndër aleatët kryesorë ndërkombëtarë të Kartelit të Sinaloas dhe Kartelit Jalisco Nueva Generación (CJNG). Përveç Evropës, ajo ka prani edhe në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Australi, përmes emigrantëve me origjinë shqiptare të vendosur në këto vende.
Në fund të viteve ’80, si mafia shqiptare, ashtu edhe ’Ndrangheta ishin relativisht të vogla krahasuar me organizata të tjera kriminale, por nga vitet ’90 nisën të rriten falë dy faktorëve kryesorë. I pari ishte dobësimi i mafieve me ndikim të madh për shkak të ndjekjes penale nga qeveritë evropiane, si mafia siciliane (Cosa Nostra), Camorra napolitane, mafia ruse, mafia galiciane apo Union Corse. Në të gjitha këto raste, autoritetet gjetën anëtarë të gatshëm të spiunonin bashkëpunëtorët e tyre, gjë që lejoi ndjekjen penale të shumë udhëheqësve dhe i bëri këto grupe partnerë më pak të besueshme për kartelet meksikanë apo kolumbianë.
Ndërsa “spiunët” dobësonin këto mafie, kartelet meksikanë dhe kolumbianë gjetën te mafia shqiptare dhe ’Ndrangheta aleatët e duhur, pasi në të dy rastet bëhet fjalë për grupe kriminale të përbëra vetëm nga persona me lidhje të drejtpërdrejta familjare – prindër, fëmijë, vëllezër, motra, xhaxhallarë e nipër – çka ul ndjeshëm rrezikun e tradhtisë, pasi lidhja e gjakut është vendimtare.
Faktori i dytë është se, në një kohë të shkurtër, falë diasporës së emigrantëve nga Shqipëria dhe Kalabria (rajon në jug të Italisë, prej nga e ka origjinën ’Ndrangheta dhe që karakterizohet nga të ardhura më të ulëta se pjesa tjetër e vendit), ata arritën të vendosin prani pothuajse në të gjitha vendet e Evropës, veçanërisht në porte, qendra të mëdha financiare, kryeqytete me popullsi të madhe dhe zona me rritje të shpejtë ekonomike.
Për shembull, mafia shqiptare ka prani në qytete shumë të rëndësishme si Londra, Berlini, Parisi, Stokholmi, Stambolli, Nju Jorku, Sidnej, Toronto, Madridi apo Roma, si dhe në porte me trafik të lartë tregtar në Evropë, si Hamburgu në Gjermani, Algeciras dhe Valencia në Spanjë, Antverpeni në Belgjikë dhe Roterdami në Holandë.
Duke qenë se portet janë pika kryesore e hyrjes së drogave si kokaina dhe fentanili në Evropë, dhe mafia shqiptare është ajo që është më e infiltruar në këto pika, ajo bëhet një aleate kyçe për organizata si Karteli i Sinaloas apo CJNG.
Por përveç këtyre dy arsyeve, ekziston edhe një e tretë që e dallon mafien shqiptare: përveç rolit kyç në trafikun e drogës, ajo u ofron organizatave meksikane edhe qasje në një rrjet shumë të gjerë pastrimi parash në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës, si Kina.
Shqiptarët investojnë në projekte imobiliare luksoze në të gjithë Evropën; janë pronarë kazinosh, hotelesh, qendrash turistike, spa-sh dhe restorantesh, por gjithashtu kanë krijuar aleanca me kinezë dhe turq për interesa në biznese të vogla me produkte të lira dhe pirateri në qytete të ndryshme.
Po ashtu, janë identifikuar operacione të tyre në qendrat kryesore financiare të Evropës, si Cyrihu, Gjeneva, Frankfurti apo Londra, si dhe blerje kriptomonedhash, përdorimi i platformave të lojërave elektronike apo mashtrime masive përmes mjeteve digjitale.
Në përmbledhje, mafia shqiptare është bërë një partnere shumë e vlefshme për kartelet meksikanë sepse është një nga blerëset më të mëdha të drogës, ka një rrjet të gjerë shpërndarjeje në Evropë dhe vende të tjera, ofron shërbime tepër të rëndësishme si pastrimi i parave dhe madje mund të sigurojë edhe armë të rënda.
Kjo bën të mundur që i njëjti klan shqiptar të ketë marrëdhënie biznesi me kartele armike mes tyre, si Karteli i Sinaloas dhe CJNG, sepse kostoja e prishjes së marrëdhënies është më e lartë sesa tolerimi i mungesës së ekskluzivitetit.
Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se, ndryshe nga Karteli i Sinaloas apo CJNG, mafia shqiptare nuk është një organizatë e vetme, por shumë të pavarura: çdo klan familjar funksionon si një bandë më vete, me portofolin e vet të bizneseve. Ndryshe nga organizatat kriminale meksikane, të cilat shpesh përplasen dhe konkurrojnë dhunshëm, shqiptarët rrallë përfshihen në konflikte të dhunshme dhe shumicën e kohës bashkëpunojnë mes tyre dhe ndajnë fitimet.
Për këtë arsye nuk është aspak çudi që familja Hysa, e vendosur në Meksikë, dhe që qeveria amerikane e lidh me fraksionin Mayiza, të shërbejë si urë lidhëse me klanet e mëdha evropiane dhe që, përveç pastrimit të parave përmes kazinove, të ofrojë qasje në një katalog shumë të gjerë investimesh në Evropë, gjë që është jashtëzakonisht e vështirë për t’u zbuluar nga autoritetet meksikane. Pikërisht për këtë arsye, prej vitesh marrëdhënia mes organizatave shqiptare dhe atyre meksikane është intensifikuar.
Albania
“E-Albania” plotësisht jashtë funksionit!
Prej më shumë se një jave portali qeveritar e-Albania vijon të ketë probleme në ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
Këto probleme vijojnë të shfaqen ku sërish vështirësitë hasen si për qytetarët për të aksesuar platformën, por edhe për bizneset.
Në një njoftim që shfaqet në faqen zyrtare të e-Albania vijon të shfaqet njoftimi: Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile gjatë ditës së sotme do të realizojë një operacion mirëmbajtjeje dhe përmirësimi të sistemit elektronik të saj. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile do të realizojë operacione mirëmbajtjeje dhe përmirësimi të sistemit elektronik të saj. Ju informojmë se gjatë këtyre proçeseve mund të ketë ndërprerje të përkohshme apo ngadalësime në marrjen e të dhënave përmes ndërveprimit me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj për çdo vështirësi të mundshme që mund të haset në përdorimin e shërbimeve publike online.
Pesë ditë më parë më parë Aleanca për Profesionistët e lirë e ka ngritur në tej si problem pasi bizneset nuk arrijnë të marrin shërbime apo kryejnë pagesa.
Ndërsa ka renditur problemet e hasura, Aleanca kërkon sqarime të mëtejshme.
“Këto platforma janë sot infrastruktura bazë për regjistrime, deklarime, aplikime, pagesa dhe përmbushje detyrimesh ligjore. Ndërprerja e tyre, qoftë edhe e përkohshme, krijon pasiguri juridike, vonesa procedurale, rrezik penalitetesh dhe kosto shtesë për bizneset dhe profesionistët e lirë, të cilët varen pothuajse tërësisht nga shërbimet digjitale.”
Fenomeni ngre pikëpyetje jo vetëm mbi qëndrueshmërinë teknike të sistemeve, por edhe mbi menaxhimin e riskut, kapacitetet e back-up-it, komunikimin institucional dhe mekanizmat alternativë që duhet të aktivizohen në raste të tilla.
Në këtë kontekst, vlerësojmë të domosdoshme: transparencë më të madhe mbi shkaqet e ndërprerjeve dhe kohëzgjatjen e tyre; forcimin e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe redundancës së sistemeve digjitale; parashikimin e procedurave alternative dhe shtyrjen automatike të afateve ligjore në raste mosfunksionimi të platformave; komunikim të qartë dhe në kohë me përdoruesit, për të shmangur pasigurinë dhe keqinterpretimet”, thuhet në ankesën e tyre”.
Jo vetëm me bizneset por portali ka shfaqur vështirësi edhe për individët, si regjistrimi i fëmijëve të porsalindur në sistem si dhe aplikimet për pajisjen me mjetin e identifikimit apo rinovimet e pasaportave.
Kjo çështje kthehet në një problem këtë periudhë fundviti teksa rikthimi i emigrantëve në atdhe është i lartë dhe i shfrytëzojnë ditët e pushimit edhe për tu marrë me dokumentacione.
-
UK23 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania24 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports23 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania1 day agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania2 days agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Kosova16 hours agoKëta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes
