Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, thotë se e respekton Diego Simeonen por e pranoi se nuk i pëlqen aspak stili i lojës që bën trajneri i Atletico Madridit.
Liverpooli do ta vizitojë kampionin e La Ligës Atleticon sot në Wanda Metropolitano – në vendin ku e fitoi trofeun e Ligës së Kampionëve më 2019 – në një takim të fazës grupore të garës evropiane këtë sezon.
Pas takimit të fundit mes tyre, në të cilin Atletico e eliminoi Liverpoolin nga Liga e Kampionëve në rrethin e 16 më të mirëve më 2020, Klopp kishte pyetur pse skuadra spanjolle nuk kishte quajtur futboll “siç duhet”.
Por tani Klopp thotë se komentet e tij atë kohë ishin bërë nën ndikimin emocional.
“Diego Simeone po bën gjithçka plotësisht në rregull”, tha Klopp në konferencë për media para ndeshjes.
“Ai është kampioni aktual spanjoll. Shumë i suksesshëm në Atletico. Ai e ka një grup lojtarësh të klasit botëror, të cilët i mban në gjendje gatishmërie. Ata luftojnë me gjithçka që kanë. Kjo thotë shumë për cilësitë e Diegos, prandaj respekti është i madh për atë që bëjnë ata”, shpjegoi ai.
Klopp shtoi: “A më pëlqen ajo? Jo shumë, por është normale sepse unë parapëlqej tjetër lloj futbolli. Ky jam unë. Trajnerët e tjerë pëlqejnë stile të ndryshme të futbollit”.