Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, ka pranuar të hënën se është i detyruar të bëjë ndryshime në formacion për ndeshjen e fundit të fazës grupore të Ligës së Kampionëve kundër Milanit. Klopp ka thënë se nëse nuk bën ndryshime, atëherë departamenti mjekësor i Liverpoolit do ta “shkatërronte”.
Liverpooli të martën prej orës 21:00 luan kundër Milanit në stadiumin “San Siro”, në ndeshjen e Grupit B. Përderisa Liverpooli tashmë e ka siguruar kalimin në fazën e nokautit, për Milanin nuk mund të thuhet një gjë e tillë. Liverpooli është lider me 15 pikë, falë pesë fitoreve në po aq ndeshje të luajtura deri më tani. Ndërkohë, lideri i Serie A, Milani, është pjesë e një betejë trepalëshe për t’u kualifikuar nga vendi i dytë, së bashku me Porton dhe Atletico Madridin, që përballen në Portugali.
Klopp tha se vendimi i tij për rotacion është pragmatik, por njëkohësisht edhe lehtëson barrën e lojtarëve të tij pas pesë ndeshjeve në 15 ditë dhe orarit të ngjeshur festiv që po vjen.
“Duhet të bëjmë rotacion, jam i detyruar për shkak të ngarkesave të mëdha. Departamenti mjekësor do të më shkatërronte nëse do të luaja sërish më të njëjtin formacion, kështu që do të bëj ndryshime. Do të kemi disa lojtarë të freskët dhe për këtë arsye besoj se do të kemi një paraqitje të mirë në këtë ndeshje”, është shprehur Klopp.
Sulmuesi Mohamed Salah ka shënuar në secilën nga gjashtë ndeshjet e fundit të Liverpoolit në udhëtim në Evropë, por Klopp refuzoi të konfirmojë nëse do ta pushojë egjiptianin.
“Unë nuk mund ta ndryshoj të gjithë formacionin. Ne kemi nevojë për lojtarë në fushë, kështu që unë nuk mund të bëj rotacion të madh dhe të filloj me nëntë lojtarë, kjo nuk është e mundur. Ne do të shohim nëse Salah luan apo jo, por lojtarët janë shumë të kuptueshëm për situatën. Ne duam të ofrojmë ekipin më të mirë të mundshëm për situatën në të cilën ndodhemi”.
Për dallim prej Kloppit, që do të bëjë ndryshime, homologu i tij te Milani, Stefano Pioli, do të inkuadrojë në përbërje sa më shumë “lojtarë ofensivë”. Pioli është i bindur se vetëm me presion të madh në sulm mund ta thyejë dhe mposhtë skuadrën e Liverpoolit në ndeshjen më vendimtare të këtij sezoni. Megjithatë, Pioli nuk do të mund të llogarisë në tre lojtarë të sulmit, Ante Rebiqin, Olivier Giroudin dhe Rafael Leaon, të gjithë të lënduar. Në fakt, Milani edhe nëse fiton, duhet të shpresojë që ndeshja ndërmjet Portos dhe Atletico Madridit të përfundojë pa fitues. Milani është i treti në grup me katër pikë, sa i ka edhe Atletico Madridi që zë vendin e fundit. Ndërkohë, Porto renditet i dyti në tabelë më pesë pikë të mbledhura.
“Jemi përgatitur edhe deri në detajin më të vogël për këtë takim shumë të rëndësishëm. Duhet të tregohemi shumë të fortë përballë një ekipi që mund ta fitojë Championsin. Do të kemi sa më shumë lojtarë sulmues dhe prej fillimit do të bëjmë presion, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të bëjmë diçka. Ne mund të luajmë një ndeshje të tillë dhe mund të jemi konkurrent edhe në Evropë”, ka insistuar Pioli. “Nëse përfundojmë të tretët, do të luajmë në Ligën e Evropës. Por synimi është ta fitojmë ndeshjen dhe të shpresojmë në një rezultat të favorshëm nga dueli që luhet në Portugali”.
E nëse fitojnë, si Milani ashtu dhe Atletico, atëherë pozita e dytë në grup do të vendoset në bazë të goldallimit, pasi në ndeshjet direkte janë të barabartë. Në duelin e parë, Liverpooli e pati mposhtur Milanin në “Anfield Road” me rezultatin 3:2. Fitore prej futbollistëve të tij po kërkon edhe trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone. Ai ka përkrahur skuadrën e tij në prag të ndeshjes vendimtare dhe Simeone beson se Atletico do të kualifikohet në fazën e nokautit.
“Kam besim të plotë në ekipin tim. Kemi punuar dhe do të flasim në fushë ndaj Portos, ku prej fillimit do ta kërkojmë fitoren. Besoj se duhet të fitojmë për shkak se kjo është ndeshja më e rëndësishme këtë edicion në Champions për ne. Natyrisht, nuk do të jetë ndeshje e lehtë, sepse përballë kemi Porton, një ekip që më pëlqen shumë se si luan. Mirëpo, jemi të detyruar të fitojmë dhe të avancojmë në raundin tjetër, pasi ky është njëri prej synimeve tona këtë edicion”, është shprehur Simeone. “Atletico është ekip me karakter dhe do t’ia dalë mbanë, pasi edhe në të shkuarën kemi qenë në situata të tilla dhe kemi pasur sukses. Të gjithë futbollistët ëndërrojnë të luajnë në ndeshje të tilla”.
Ndërkohë, në Grupin D do të zhvillohet derbi ndërmjet Real Madridit dhe Interit, i cili do të jetë përcaktues për pozitën e parë në tabelë. Aktualisht, Reali prin me 12 pikë të mbledhura, dy më shumë se Interi.
E martë
Grupi A
PSG – C. Brugge (18:45)
Leipzig – Man. City (18:45)
1. Man. City 5 12
2. PSG 5 8
3. Leipzig 5 4
4. C. Brugge 5 4
Grupi B
Milan – Liverpool (21:00)
Porto – Atl. Madrid (21:00)
1. Liverpool 5 15
2. Porto 5 5
3. Milan 5 4
4. Atl. Madrid 5 4
Grupi C
Ajax – Sporting (21:00)
Borussia D. – Beshiktash (21:00)
1. Ajax 5 15
2. Sporting 5 9
3. Borussia D. 5 6
4. Beshiktash 5 0
Grupi D
Real Madrid – Inter (21:00)
Shakhtar D. – Sheriff (21:00)
1. Real Madrid 5 12
2. Inter 5 10
3. Sheriff 5 6
4. Shakhtar D. 5 1