Klubet e dy kategorive të para të Spanjës janë pajtuar të ofrojnë 200 milionë euro në katër vitet e ardhshme për të mbështetur sportet tjera në vend dhe ligat më të ulëta të futbollit.
Kjo është bërë e ditur në një komunikatë të lëshuar nga La Liga të martën.
Që nga nënshkrimi i marrëveshjes kolektive për të drejtat televizive në vitin 2015, La Liga ka ofruar një për qind të të ardhurave për Ministrinë e Sportit të Spanjës. Përkrahja është rritur në 2,5 për qind si pjesë e marrëveshjes së re, ndërsa La Liga ka dyfishuar edhe kontributin e saj për Federatën e Futbollit të Spanjës nga 1% në 2%.
Marrëveshja është arritur pas një takimi që zgjati tetë orë.
“Kjo marrëveshje ofron përkrahje për sportin jo vetëm në krizën e krijuar nga Covid – 19, por për kohë më të gjatë. Marrëveshja do të rrit angazhimin e klubeve profesionale dhe të La Ligas në sportin spanjoll”, thuhet në komunikatë.
Shumë klube të La Ligas janë goditur financiarisht nga pushimi për shkak të pandemisë. Marrëveshje për ulje të pagave janë arritur, ndërsa janë goditur edhe sportet tjera.