Klubet e Premier Leagues kanë vendosur kundër një ndërprerjeje të përkohshme të edicionit, sipas raportimeve të së hënës, përkundër rritjes së madhe të rasteve me koronavirus, që ka detyruar një shtyrje masive të ndeshjeve.
Vetëm katër nga dhjetë ndeshjet e planifikuara të fundjavës së kaluar u zhvilluan, pasi Britania lufton me shifra rekorde të rasteve me COVID.
Bordi i Premier Leagues ka shqyrtuar të gjitha kërkesat e klubeve për shtyrje të ndeshjeve, rast pas rasti, por ka pasur kritika për procesin e vendimmarrjes, me frikën se rrezikon integritetin sportiv të garës. Sipas “Daily Mail”, klubeve iu tha në një takim të hënën se nuk do të aprovohen shtyrjet e ndeshjeve nëse kanë në dispozicion 13 lojtarë dhe një portier nga lista e tyre me 25 lojtarë. Chelsea, që ka mbetur gjashtë pikë prapa liderit Manchester City në krye të tabelës, kërkoi që të anulohej ndeshja e së dielës kundër Wolverhamptonit, por kërkesa e klubit londinez u refuzua pavarësisht shtatë rasteve pozitive me koronavirus.
Liverpooli që ndjek titullin gjithashtu u ndal në barazim 2:2 në udhëtim te Tottenhami, me një numër të konsiderueshëm të lojtarëve kryesorë që i munguan shkaku i infektimit me koronavirus.
“Ne jemi vënë në një rrezik të madh për shëndetin dhe sigurinë e lojtarëve, jo vetëm për shkak të koronavirusit, por edhe gjendjes fizike”, ka thënë trajneri i Chelseat, gjermani Thomas Tuchel.
“Nga pikëpamja mjekësore jam shumë i shqetësuar, sepse kemi pasur katër ditë radhazi teste pozitive në skuadër. Si do të ndalet kjo nëse vazhdojmë dhe pretendojmë se nuk po ndodh? Ky është mendimi im dhe është mendimi mjekësor, por nuk është mendimi i Premier Leagues. Kështu që ne duhet të vazhdojmë të luajmë përkundër rasteve pozitive të përditshme”.
Kriza nga koronavirusi ka ardhur në kohën më të ngarkuar në kalendarin e futbollit anglez, me skuadrat e Premier Leagues që duhet të luajnë nga tri ndeshje midis 26 dhjetorit dhe 3 janarit.
Edhe një ndërprerje e shkurtër do të sforconte kalendarin, duke i detyruar klubet të luanin edhe më shumë ndeshje gjatë gjysmës së dytë të edicionit. Por duket se një propozim për të shtyrë raundin e mesëm të ndeshjeve festive nga 28-30 dhjetor, për t’iu dhënë skuadrave të prekura nga koronavirusi dhe nga lëndimet kohë shtesë përgatitore, u hodh poshtë në takimin e mbajtur të hënën në të cilin morën pjesë edhe trajnerët.
Rick Parry, kryetar i Ligës Angleze të Futbollit, e cila drejton tri divizionet poshtë Premier Leagues, ka thënë se nuk ka “prova shkencore” që një pushim i shkurtër do të funksiononte. Heqja e ndeshjeve të kthimit në kuadër të Kupës FA dhe gjysmëfinalja e planifikuar me dy ndeshje në Kupën e Ligës në janar, janë sugjeruar si zgjidhje për të krijuar hapësirë në kalendarin e ngjeshur.
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta pranoi se skuadra e tij ishte “me fat” që ishte në aksion fundjavën e shkuar pasi e mposhti Leedsin, 4:1. Megjithatë, ai e përsëriti thirrjen për më shumë transparencë në procesin e vendimmarrjes.
“Topçinjtë” u detyruan të luanin në Brentford në fundjavën e hapjes së edicionit, pavarësisht se katër lojtarë rezultuan pozitivë. Arsenali humbi ndeshjen me shifrat 2:0.
“Ne duam të luajmë të gjithë sipas të njëjtave rregulla”, tha Arteta. “Kjo është ajo ku unë mendoj se krerët e ligës mund të veprojnë. Çfarëdo që ata vendosin se është më e mira për konkurrencën duhet të shpjegohet. Nuk bën të ketë favore për asnjërën skuadër”.
Zhgënjimi shtohet edhe më shumë mbi padrejtësinë e perceptuar se disa nga klubet me përqindjet më të mira të vaksinimit të lojtarëve janë detyruar të luajnë. Lojtarët e pavaksinuar ende duhet të izolohen për dhjetë ditë pasi kanë rënë në kontakt të ngushtë me një rast pozitiv, i cili ka varfëruar më tej numrin brenda ekipit.
Premier League nuk ka publikuar të dhënat e vaksinimit që nga muaji tetor, kur vetëm 68 për qind e lojtarëve ishin me dy doza të vaksinës, ndërsa 81 për qind kishin marrë vetëm një dozë.
Leeds Unitedi, i cili ka një shkallë vaksinimi 99 për qind te lojtarët dhe stafi, sipas shefit ekzekutiv Angus Kinnear duhej t’ua mundësonte debutimin në ekipin e parë dy adoleshentëve dhe të mbante një 15-vjeçar në stol për shkak të një krize dëmtimesh. Kjo ndodhi në humbjen e së shtunës nga Arsenali.