Sipas mediave angleze, Tottenham ka hapur negociatat me Juventusin për të kompletuar transferimin e sulmuesit anësor Federico Chiesa.
26 vjeçari Chiesa nuk është në planet e “Zonjës së Vjetër” dhe nuk udhëtoi me skuadrën e Thiago Mottas për përgatitjet parasezonale në Gjermani, pasi i dha edhe fund beqarisë duke u martuar me partneren e tij, Lucia Bramani.
Aktualisht ai po stërvitet individualisht dhe po pret rikthimin e bashkëlojtarëve në Torino.
Besohet se Motta nuk llogarit te Chiesa në të ardhmen sepse ai nuk ka nënshkruar kontratë të re me Juventusin, prandaj edhe largimi i tij pritet gjatë verës pasi klubi italian nuk dëshiron ta humbasë pa asnjë cent vitin e ardhshëm.
Tuttosport shkruan se Tottenham ka kontaktuar Juventusin për një transferim dhe është gati të ofrojë 30 milionë euro, shumë që ‘Zonja e Vjetër’ e kërkon.
Trajneri i klubit anglez Ange Postecoglu është një tifoz i 26-vjeçarit italian për shkak të shkathtësisë dhe cilësisë së tij në duelet një me një.