Zbardhet në dosjen hetimore të zv.kryeministres Belinda Balluku një mesazh që implikon në mënyrë të drejtpërdrejtë kryeministrin Edi Rama.
Në një nga mesazhet dërguar ish-vartësit të saj Evis Berberi, Belinda Balluku e informon këtë të fundit se ka takuar Ramë Gecin me kërkesën e kryeministrit.
Kompania e Ramë Gecit pas këtij takimi rezulton të ketë fituar tender.
Pjesë nga dosja Balluku që SPAK ka dorëzuar në Kuvend ku ka kërkuar autorizim për arrestimin e zv.kryeministres.
Në vijim të hetimit, nga këqyrja e të dhënave të aktit të ekspertimit nr. 195, datë 26.09.2024, të aparatit celular “Blackberry”, model “BBF100-6”, të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, ka rezultuar komunikimi i datës 24.08.2021, në aplikacionin “Whatsapp”, ku në orën 13:49, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin:
“KM më kërkoi të takoj Ram Gecin”.
Pas këtij mesazhi, në orën 13:51, shtetasi Evis Berberi i dërgon shtetases Belinda Balluku mesazhet në aplikacionin “Signal Private Messenger”, me tekst:
“E kishte takuar sot. Të kaloj nga zyra se e takova para një ore në kantier, bëra një xhiro në gjithë unazën”.
Në orën 13:52, Belinda Balluku:
“Jam në shpi peshk me pak fjalë, me një virozë”.
Në orën 13:52, Evis Berberi:
“Obobo”.
Në orën 13:52, Belinda Balluku:
“Në PR do e çojmë këtë, them unë. Sa është PR?”.
Në orën 13:53, Evis Berberi:
“15 ml, rreth diku te 10 ml euro pa TVSH, 15 miliardë lekë”.
SPAK sqaron se në lidhje me bisedat e mësipërme, nga hetimi rezulton se Autoriteti Rrugor Shqiptar në datën 15.09.2021 ka bërë njoftimin për procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtim rruga Porto Romano Durrës, Loti 3 (vazhdimi)”.
Në Buletinin nr. 167, datë 22.11.2021, të Agjencisë së Prokurimit Publik, rezulton se për këtë procedurë prokurimi është publikuar njoftimi mbi vlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomikë, ku ka rezultuar se është kualifikuar oferta e paraqitur nga shoqëria “Geci” sh.p.k.

“Ndërtim rruga Porto Romano Durrës, Loti 3 (vazhdimi)”
Referuar të dhënave të sistemit elektronik të prokurimit publik, si rezultat i shpalljes fitues të shoqërisë “Geci” sh.p.k., në këtë procedurë prokurimi, është lidhur kontrata midis Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe shoqërisë “Geci” sh.p.k., me objekt “Ndërtim rruga Porto Romano Durrës, Loti 3 (vazhdimi)”.
Nga hetimi rezulton se shoqëria “Geci” sh.p.k. ka si ortak të vetëm dhe administrator shtetasin, Ram Geci./vna




