Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijancic, ka sqaruar qëndrimin e institucioneve evropiane lidhur me mundësitë që “Trepça” të përfshihet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Sa i përket çështjes se a është “Trepça” pjesë e dialogut, Bashkimi Evropian, si ndihmës i procesit ka qenë gjithmonë i qartë që rendi i ditës në dialog përcaktohet nga Beogradi dhe Prishtina. Ne nuk komentojmë për pikat për të cilat nuk dëshirojnë të bisedojnë. Ata i sjellin në tavolinë çështjet që i konsiderojnë të hapura dhe më pas duhet të merren vesh për atë se a duan të flasin për secilën çështje, në mënyrë që të arrihet marrëveshja juridikisht e obligueshme për të gjitha çështjet e hapura”, ka thënë Kocijancic.
Ajo ka shtuar se dialogu ka për qëllim zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Pa një normalizim të plotfuqishëm dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të Beogradit dhe Prishtinës përmes dialogut, të cilin e ndihmon BE-ja, nuk mund të arrihet deri te stabiliteti afatgjatë në rajon. Marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese për normalizimin është emergjente dhe vendimtare që Serbia dhe Kosova të mund të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”, ka porositur zëdhënësja Kocijancic.
Ky sqarim i saj vjen pas reagimeve të ashpra që janë shënuar në Prishtinë pas publikimit të lajmit që Bashkimi Evropian konsideron që ‘Trepça” të jetë pjesë e dialogut.