Nga Nju Jorku, Marko Caka
Duke u kthyer nga xhirimet në Long Island, rastësisht veshi më zuri një bisedë në greqisht nga një radio lokale. Nuk ishte aspak çudi. Komuniteti grek në shtetin e Nju Jorkut është ndër më të mëdhenjtë dhe më të organizuarit, falë edhe gjeneratave të hershme të emigrimit.
Por ajo që më tërhoqi vërtet vëmendjen ishte tema e emisionit. Në prag të festës së pavarësisë së tyre, moderatorët kishin ngritur një ide që po trajtohej si një kauzë kombëtare: që muaji mars të njihet në Shtetet e Bashkuara si Muaji i Trashëgimisë Greke (Greek Heritage Month).
Në SHBA, marsi tashmë njihet si Muaji i Historisë së Grave (Women’s History Month) dhe njëkohësisht si Muaji i Trashëgimisë Irlandezo-Amerikane (Irish-American Heritage Month). Megjithatë, drejtuesit e emisionit argumentonin se edhe komuniteti grek meriton një hapësirë të tillë institucionale për shkak të historisë dhe kontributit të tij në shoqërinë amerikane. Dhe për ta arritur këtë, sipas tyre, duhet vetëm një gjë, një iniciativë e organizuar e komunitetit dhe një lobim serioz në Kongresin amerikan.
Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte reagimi i menjëhershëm i dëgjuesve. Që nga momenti kur ideja u hodh në ajër, shumë anëtarë të komunitetit grek e mbështetën publikisht, madje duke u shprehur të gatshëm ta mbështesin financiarisht këtë nismë. Për ta, nuk ishte thjesht një ide mediatike, por një projekt identitar për kombin e tyre.
Idetë që lidhen me identitetin dhe historinë kombëtare gjithmonë të ndezin mendimin. Dhe pikërisht në atë moment më erdhi një pyetje e natyrshme- pse të mos ketë edhe komuniteti shqiptar një nismë të tillë?
Shqiptarët në Shtetet e Bashkuara kanë një histori të gjatë, një komunitet aktiv dhe mbi të gjitha një raport të veçantë me Amerikën. Shqipëria dhe shqiptarët njihen gjerësisht si ndër miqtë më besnikë të Shteteve të Bashkuara. Një partneritet që është dëshmuar në histori, në politikë dhe në qëndrime strategjike ndër dekada. Nëse një komunitet shqiptar do të organizohej seriozisht për një nismë të tillë, lobimi në Kongres nuk do të ishte aspak një mision i pamundur.
Pyetja që lind natyrshëm është- se cili muaj do të ishte më i përshtatshmi?
Shumëkush mund të mendojë menjëherë për nëntorin, për shkak të pavarësisë së Shqipërisë. Por në SHBA nëntori është tashmë Muaji i Trashëgimisë së Amerikanëve Vendas, një muaj me peshë të madhe historike dhe simbolike. Pikërisht për këtë arsye, personalisht nuk do ta zgjidhja nëntorin për një iniciativë të tillë.
Për mua, zgjedhja më e natyrshme do të ishte muaji janar. Një muaj që lidhet drejtpërdrejt me datëlindjen e figurës më emblematike të historisë shqiptare, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Figura e Skënderbeut nuk është vetëm simbol i identitetit kombëtar shqiptar. Ai është një figurë historike që lidhet edhe me historinë e Evropës dhe të Perëndimit, si një nga mbrojtësit më të njohur të qytetërimit evropian në shekullin XV. Historia e tij nuk është thjesht histori shqiptare, por është pjesë e narrativës së rezistencës dhe mbrojtjes së vlerave perëndimore.
Dhe ka edhe një fakt interesant se muaji janar nuk figuron aktualisht në listën zyrtare të muajve të trashëgimisë në Shtetet e Bashkuara. Kjo do të thotë se ekziston një hapësirë reale që një komunitet i organizuar mund ta propozojë dhe ta mbrojë një iniciativë të tillë.
Sigurisht, një ide e tillë nuk bëhet realitet vetëm me entuziazëm. Ajo kërkon organizim komunitar, mbështetje institucionale, angazhim të shoqatave shqiptaro-amerikane dhe mbi të gjitha një strategji serioze lobimi në Kongres.
Por nëse komunitete të tjera arrijnë ta bëjnë, pse jo edhe shqiptarët?
Ndoshta ka ardhur koha që edhe komuniteti shqiptar në Amerikë të mendojë më ambiciozisht për mënyrën se si përfaqëson historinë dhe identitetin e vet në hapësirën publike amerikane.
Sepse do të ishte një moment historik për çdo shqiptaro-amerikan si dhe për kombin shqiptar në tërësi, që një ditë muaji janar të njihej zyrtarisht në Shtetet e Bashkuara si Muaji i Trashëgimisë Shqiptaro-Amerikane.
Dhe ndoshta është koha që kjo ide të mos mbetet vetëm një mendim i lindur rastësisht nga një radio në Long Island, por të kthehet në një nismë reale të komunitetit shqiptaro-amerikan.


