Një varr masiv ku ndodheshin trupat e mbi 450 “vampirëve” u zbulua gjatë punimeve për hapjen e një autostrade në Poloni.
Zbulimi i tmerrshëm u bë në fshatin e Luzinos në verilindje të vendit, ku të gjithë skeletët ishin me kokë të prerë dhe kafka e tyre ishte vendosur në mes të këmbëve, teksa në gojë kishin një monedhë.
Kjo praktikë ka qenë shumë e njohur për rajonin deri në shekullin e 19 dhe mendohet se përdorej për të hequr “mallkimin e vampirit”.
Arkeologu Maciej Stromski tregon se bëhet fjalë për ritual, ku banorët kishin frikë se të vdekurit mund të dilnin nga varri dhe për këtë arsye prerja e kokës ishte mënyra e vetme për t’i ndaluar.
“Në atë kohë besohej se nëse një anëtar i familjes së vdekur, vdiste pas funeralit, atëherë ai mund të ishte vampir”, shton arkeologu.
Shtatorin e kaluar, në Poloni u gjetën mbetjet e një ‘vampiri femër’ të gozhduar në tokë me një drapër në fyt dhe duar të kyçur për të parandaluar kthimin e saj nga të vdekurit.