Publikohen dëshmitë e panjohura të kolonel Idriz Seit Sadikaj, ish-ushtarak i lartë i Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendëshme dhe bashkpunëtori më i ngushtë i Mehmet Shehut që nga periudha e fëmijrisë kur ishin shokë të ngushtë në fshatin Çorush të Mallakastrës, i cili në vitin 1982 u dënua me 10 vjet burg politik, si dhe dëshmitë e ish-oficerëve madhorë të Sigurimit të Shtetit T.N. e M.Gj. që kanë shërbyer shumë vjet pranë ish-sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe anëtarit të Byrosë Politike, Hysni Kapo, që mbulonte organet e ‘Diktaturës së Proletariatit’, si: Ministrinë e Punëve të Brendëshme, Sigurimin e Shtetit, Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, Gjykatat, Hetuesinë, Prokurorinë, etj. Dëshmitë e rralla të tyre mbi misteret e vdekjes së Hysni Kapos në Paris, akuzën e Vitos drejtuar Ministrit të Punëve të Brendëshme, Kadri Hazbiu, si dhe skenarin e mundshëm të Enver Hoxhës për eliminimin e Kapos dhe Shehut që në vitin 1973, kur Hoxha kaloi një infarkt të rëndë dhe jeta e tij u vu në pikpyetje, e për atë gjë, ai fillimisht bëri fajtor mjekët e tij që i’a kishte sugjeruar dhe afruar Hysni Kapo!
“Në shtatorin e vitit 1979, pasi u mësua lajmi i vdekjes së Hysni Kapos në një nga klinikat mjeksore të Parisit, ku ai ishte i shtruar prej pak ditësh dhe kurohej nga një sëmundje e rëndë, menjëherë bashkëshortja e tij Vito Kapo, takoi ministrin e Punëve të Brendshëm, Kadri Hazbiun dhe mes lotëve e ngashërimeve i`u drejtua atij duke i bërtitur: ‘Pse ma helmuat Hysniun?!’ Pas kësaj akuze shumë të fortë e tepër tronditëse që ajo hodhi ndaj tij, ministri Hazbiu krejt i përmbajtur dhe i qetë i` u përgjigj: ‘Çfarë ke që më drejtohesh mua, pse nuk i thua atij…’?! Me fjalën ‘atij’, Hazbiu e kishte fjalën për Enver Hoxhën. Nënteksti i përgjigjies së Kadri Hazbiut, njeriut tepër të rafinuar dhe inteligjent, i cili kishte drejtuar organet e Ministrisë së Punëve të Brendëshme dhe Sigurimin e Shtetit që nga viti 1949, ishte më se i qartë për bashkëshorten e Hysni Kapos, që deri në atë kohë ishte numri ‘dy’ i Shqipërisë komuniste dhe konsiderohej si një nga njerzit kryesorë dhe më të mundshëm që do të zëvendësonte Enver Hoxhën pas vdekjes së tij.









Ajo përgjigjie fare e shkurtër që Kadri Hazbiu i dha Vito Kapos kundrejt akuzës së saj, fliste shumë! Hazbiu nuk e pohoi që bashkëshortin e saj, Hysni Kapon e kishin helmuar, por as e mohoi atë gjë! Por ai duke shfajsuar veten se nuk kishte gisht apo se nuk ishte i implikuar në atë për të cilën e akuzonte Vitua, dashur pa dashur, i linte asaj të kuptonte se: ai nuk kishte ndonjë vërejtje për akuzën e saj, por adresa ishte e gabuar dhe ajo akuzë duhej drejtuar jo ndaj tij, por mbi Enver Hoxhën”.
Kështu shprehej mes të tjerash koloneli në pension dhe ish-i burgosuri politik, Idriz Seit Sadikaj, në dëshmitë e tij me rrëfimin e bujshëm mbi misterin e vdekjes së Hysni Kapos, njeriut më të fuqishëm të shtetit komunist shqiptar që prej vitesh mbante postin e Sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe njeriu më i besuar i Enver Hoxhës, (si sekretar i Komitetit Qëndror, ai kishte detyrë funksionale kontrollin mbi organet e Diktaturës së Proletariatit, Ministrinë e Brendëshme, të Mbrojtjes, Prokurorinë, Hetuesinë, etj.), e cila për herë të parë bëhet publike nga Memorie.al.