Andi Krasniqi, i njohur me nofkën “Komandant Malisheva”, ka vendosur që shumë rrëfime për aktivitetet e tij t’i hedh në libër.
Krasniqi, i burgosur për rastin “Kumanova” në një lidhje direkte në RTV Dukagjini ka thënë se në libër është rrëfyer aktiviteti i tij në Shërbimin Informativ të Kosovës i njohur si SHIK.
“Në SHIK jam angazhuar pas luftës në Maqedoni që u zhvillua në vitin 2001. Kam qenë i angazhuar në SHIK deri në mbylljen e këtij shërbimi deri në vitin 2008 kur është shpërbë ky shërbim”.
Komandant Malisheva thotë se SHIK ka bërë punë të mira për atdheun.
“Unë nuk kam mundur të gjejë ndonjë të metë. Ju e dini si funksion një shërbim sekret. Ndoshta edhe ndonjë familjar i imi ka mundur të jetë e unë nuk e kam ditur”.
Krasniqi thotë se bashkëpunëtorë në SHIK e ka pasur Fadil Demakun derisa thotë se eprorë e ka pasur Kadri Veselin.
Pas shuarjes së SHIK-ut në vitin 2008, Malisheva thotë se është marrë me biznes.
“Kam pasur përfaqësimin e një lloji të kafesë. Klientët kanë pasur respekt për mua dhe ma kanë marrë mjaft shumë kafen. Ai mund të konsiderohet suksesi im më i madh në biznes”.
Krasniqi thotë se pas 30 ditësh do të botojë edhe një tjetër libër por që kësaj radhe ka të bëjë me ngjarjet në Kumanovë.
“Vëllimi i dytë ka gjithçka për një ngjarje shumë të dhimbshme. Të përfshira në libër do të jenë të gjitha shërbimet sekrete dhe politikanët e përfshirë”.
Vëllimi i parë ku Komandant Malisheva flet për periudhën e tij në SHIK pritet të del në treg nga dita e hënë./Telegrafi/