Komandanti i KFOR-it, gjenerali Angelo Michele Ristuccia, ka thënë se forcat paqeruajtëse që drejton ai po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës.
Gjenerali Ristuccia, përmes një komunikate, ka thënë se KFOR-i ka aftësi të plotë, duke përfshirë personelin, për të ofruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet, kudo në Kosovë, nën mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.
“Që nga tetori, ne kemi përforcuar praninë tonë, duke përfshirë edhe me trupa dhe patrulla shtesë në veri të Kosovës këtë javë”, ka thënë gjenerali Ristuccia, transmeton Telegrafi.
Ai ka thënë se “presim që të gjithë aktorët të koordinohen ngushtë me KFOR-in dhe të përmbahen nga paraqitja provokuese të forcës, për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve”.
“Ne i nxisim të gjitha palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të mundësuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë”.
“KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut”, ka thënë komandanti i KFOR-it.
Situata e sigurisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është tensionuar ditëve të fundit, pasi që nga 6 dhjetori janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba. Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngrenë barrikada, duke bllokuar rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare të lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Barrikadat u vendosën në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës, që Kosova thotë se dyshohet për “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.