Torino ka konfirmuar ndalesën e radhës për mbrojtësin shqiptar Ardian Ismajli për shkak dëmtimi. Siç bëri të ditur klubi “granata”, pas largimit të parakohshëm nga fusha në sfidën me Como-n, lojtari i’u nënshtrua kontrolleve mjekësore të specializuara.
Diagnoza evidentoi një dëmtim në muskujt e kofshës së djathtë. “Torino Football Club njofton se lojtari Ardian Ismajli i është nënshtruar kontrolleve mjekësore. Ekzaminimet kanë treguar një lëndim parcial të muskujve të kofshës së djathtë. Prognoza do të përcaktohet në bazë të ecurisë klinike të dëmtimit”, shkruhej në njoftimin zyrtar të klubit.
Sipas mediave italiane, për shkak të këtij lëndimi, Ismajli pritet të mungojë të paktën një muaj nga fushat e lojës. Ai do të humbasë disa ndeshje të rëndësishme për Torinon, ku mes tyre janë përballjet me Interin dhe Lazio-n, teksa shpreson të rikuperohet të paktën për duelin me Napolin më datë 8 mars.
Dëmtimi i yllit të mbrojtjes ka ngritur alumin edhe te Kombëtarja, pasi më 26 mars mars kuqezinjtë do të përballen me Poloninë në ndeshjen “play-off” për Botërorin 2026. Nëse fiton këtë sfidë, Shqipëria do të luajë në finalen ndaj fituesit të çiftit Ukrainë-Suedi, për një biletë në eventin më madhor të futbollit global.

