Komisioni i Ligjeve ka miratuar në unanimitet (në tërësi) nismën e opozitës së re për futjen e listave të hapura dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, ligje të cilat do të kërkojnë ndryshime të Kushtetutës.
Në draft parashikohet që 2/3 e listave do të jenë të hapura, ndërsa 1/3 e listave do të jenë të mbyllura për t’i dhënë mundësinë përfaqësimit të grave.
Kryetarja e komisionit, Vasilika Hysi tha se “të gjithë deputetët dhe deputetet e pranishme në mbledhje kanë votuar pro, miratohet në tërësi nisma”.
Deputetja Rudina Hajdari u shpreh dakord me arritjen e akordit, duke thënë se me formulimin e bërë, jepet garancia për hapjen 100% të listave në zgjedhje.
‘’Ky formulim, siç është shkruar jep garanci që Listat mund të jenë 100% të hapura. Dhe kjo ëshë çfarë duam të garantojmë. Më pas partitë vendosin brenda vetes se sa të hapura do jetë lista e tyre.’’- tha Hajdari.
Në ndryshimet Kushtetuese nuk përcaktohet pragu elektoral duke ia lënë këtë sërish Kodit Zgjedhor.
Tashmë vendimi shkon në Kuvend për t’u miratuar. Kujtojmë se duhen të paktën 94 vota për të miratuar ndryshimet që kërkojnë prekjen e kushtetutës.
Kujtojmë gjithashtu se opozita jashtëparlamentare ka patur kritika të ashpra na adresë të qeverisë në lidhje me këto ndryshime, duke i cilësuar si akte që bien në kundërshtim të plotë me marrëveshjen e arritur në Këshillin Politik.
Ndryshimet Kushtetuese
Neni 64 ndryshohet si vijon:
“1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurim rajonal dheprag kombëtar.
2. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar.
3. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore, pragun kombëtar, numrin e mandateve për secilën zonë, shpërndarjen e mandateve dhe masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor.”
Neni i riformuluar:
Neni 2
Pika 1 e nenit 68 ndryshohet si vijon:
“1.Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet”.
Deputetët në komisionin e ligjeve që votuan pro:
Rudina Hajdari
Andi Përmeti
Myslym Murrizi
Vasilika Hysi
Adnor Shameti
Spartak Braho
Elena Xhina
Alket Hyseni
Klotilda Bushka
Alban Zeneli
Korab Lita
Edjola Braha
Nikolin Staka
Jurgis Çyrbja
Bashkim Fino
Edmond Leka
Edmond Stojku
Aurora Mara
Ermonela Felaj
Fatmir Xhafaj
Ulsi Manja