Komiteti Shqiptar i Helsinkit e quajti “trajtim johuman dhe degradues” bllokimin e dhjetëra shqiptarëve në zonën neutrale mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të gjejnë një zgjidhje të shpejtë dhe emergjente.
“Qëndrimi i këtyre shtetasve në zonën neutrale për orë të tëra dhe pa kushtet minimale të jetesës vendos në rrezik jetën dhe shëndetin e tyre si dhe i nënshtron këta shtetas ndaj elementëve të trajtimit johuman dhe degradues,” thuhet në deklaratën e Komitetit.
Prej disa ditësh, dhjetëra shtetas shqiptarë mbetën të bllokuar në qiell të hapura dhe në temperatura nën zeron në kufirin greko-shqiptar në Kapshticë dhe Kakavijë, pasi autoritetet shqiptare nuk i lejojnë ata të hyjnë në atdhe.
Ata janë lejuar të dalin nga Greqia, por në një qëndrim mjaft të paqartë dhe kontravers, policia shqiptare nuk i lejon ata të futen në territorin e Shqipërisë, për shkak të kufizimeve të vendosura prej situatës epidemike të COVID-19.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit i kujton Qeverisë se Kushtetuta detyron mbrojtjen e të drejtave të shtetasve shqiptarë, me banim të përkohshëm ose të përhershëm” jashtë kufijve të vet, ndërsa theksoi se çdo kufizim i përkohshëm nuk duhet të cenojë të drejtat kushtetuese të përcaktuara në nenin 17.
KShH vlerëson se ndalimi i shtetasve shqiptarë për të hyrë në vendin e tyre cënon thelbin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe është në tejkalim të kritereve minimum të parashikuara në nenin 17 të Kushtetutës.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit konsideron gjithashtu të papranueshëm procedimin penal të këtyre personave, apo arrestimin për kalim të paligjshëm të tyre.
“KShH i rekomandon autoriteteve një qasje humane dhe jo ndëshkuese ndaj kësaj kategorie personash, të cilët kanë vepruar në kushtet kur liria e tyre e lëvizjes është kufizuar në mënyrë jo proporcionale dhe në kushtet për të garantuar mbijetesën, pasi nuk përballojnë dot qëndrimin dhe jetesën në vendet fqinje,” thuhet në deklaratë.