Anëtari i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Zheljko Komshiq, duke komentuar Samitin e sotëm në Brdo afër Kranjit, ka thënë se debati ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e ktheu samitin Brdo-Brijuni në një “pijetore ballkanase”.
“Në vend që para takimit të Brukselit të gjitha vendet e rajonit të kenë një qëndrim unik se i gjithë rajoni duhet të shkojë kah Bashkimi Evropian, ne në një mënyrë u kthyem në historinë e Ballkanit, për të mos thënë në një ‘pijetore ballkanase’, dhe të trajtojmë tema që në Samitin Brdo-Brijuni nuk u bënë”, tha Komshiq, transmeton Telegrafi
Sipas tij, e gjithë historia në lidhje me procesin Brdo-Brijuni, e cila po zgjat dhjetë vite, është konceptuar ndryshe nga ajo që doli në takimin e sotëm.
“Sot, ne u gjetëm në temat e Ballkanit për shkak të debatit, i cili në disa raste nuk ishte shumë i këndshëm, midis Kosovës dhe Serbisë”, tha Komshiq.
Ai vlerësoi se i gjithë debati shkoi në drejtim të gabuar – në paraqitjen e qëndrimeve dhe pikëpamjeve politike të Presidentit të Serbisë dhe Presidentes së Kosovës, të cilat të gjithë i dinë.
Komshiq thekson se “pjesëmarrësit në takim u dakorduan me tekstin e deklaratës, por ka mbetur që Kosova të sqarohet për disa gjëra me të cilat nuk pajtohet”.
“Kosova, për shembull, kërkoi që kur bëhet fjalë për tekstin e deklaratës, të mos thuhet për liberalizimin e vizave për Prishtinën, por për Kosovën, për të cilën Serbia nuk ishte dakord”, tha Komshiq.
Ai shprehu keqardhje që takimi përfundoi në atë mënyrë.
“Shpresoj që pavarësisht një fundi të tillë, nuk do të ketë pasoja negative në Bruksel kur bëhet fjalë për pretendimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që t’i bashkangjiten BE-së”, tha Komshiq.