Qeveria e Kosovës ka lëshuar komunikatë në lidhje me takimin që kryeministri i Kosovës, kishte gjatë ditës së djeshme me zëvendësndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar.
Në komunikatën e Qeverisë bëhet e ditur se në takimin me Escobar, ku prezent ishte edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier u diskutuan për zhvillimet në Kosovë në muajt e fundit.
Kurti dhe Escobar diskutuan për rregulloren e Bankës Qendrore. Sipas Komunikatës, Kryeministri pati diskutim përmbajtjesor të fokusuar në adresimin e shqetësimeve të përbashkëta. Ai tha se vendimi i Bankës Qendrore është vendim i një institucioni të pavarur dhe profesional dhe ofroi bashkëpunim në adresimin e shpejtë të të gjitha shqetësimeve që bien në kompetencat e qeverisë”, thekson komunikata.
“Për shkak të ndikimit të rregullores në komunitetin serb të Kosovës, qeveria ka bërë veprime për të siguruar që tranzicioni të jetë i shpejtë dhe i lehtë për qytetarët e Kosovës nga komuniteti serb. Në këtë drejtim kryeministri theksoi edhe propozimet që janë prezantuar për periudhën tranzitore dhe ofroi bashkëpunimin në adresimin e shpejtë të të gjitha shqetësimeve që bien në kompetencat e qeverisë”, thekson komunikata.Në takim, Kurti e falënderoi emisarin Escobar për rolin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës teksa tha se sukseset e Kosovës dhe të popullit të saj janë suksese të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke kujtuar takimin e fundit që kishin së bashku nga tetori i vitit të kaluar, kryeministri e falënderoi z. Escobar për vizitën dhe foli për zhvillimet që kanë shënuar këta pesë muaj.
Në takim potencohet po ashtu se u diskutuan për sulmin ndaj nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq, për të cilin, Kurti tha se duhet dënuar.“Sulmi është vazhdimësi e kërcënimeve të Serbisë ndaj sigurisë së Kosovës pas sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë ku mbet i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërkohë që kryesit e këtij sulmi ende janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi”, ka thënë Kurti.