Show - Biz
Komunitetet fetare kundër projektligjit të ‘Barazisë Gjinore’: Rrezikon të dobësojë lidhjet familjare e shoqërore
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë (KNSH), i cili përfshin pesë komunitetet kryesore fetare në vend, ka reaguar ndaj projektligjit të ri për Barazinë Gjinore, duke kërkuar rishikimin e tij të thellë. Në një deklaratë të përbashkët, KNSH-ja shpreh vlerësimin për parimet e barazisë, por ngre shqetësimin se disa dispozita të projektligjit shkojnë “përtej barazisë gjinore” dhe “rrezikojnë ta fusin shoqërinë në një proces relativizimi moral”.
KNSH-ja, e përbërë nga Komuniteti Mysliman, Kisha Orthodhokse Autoqefale, Kisha Katolike, Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Vëllazëria Ungjillore, thekson se ligji duhet të ruajë “dinjitetin e njeriut” dhe të “respektojë natyrën njerëzore”.
Kundërshtimi kryesor përkufizimi i gjinisë
Shqetësimi thelbësor i komuniteteve fetare fokusohet te përfshirja e koncepteve si “shprehja gjinore” dhe “identiteti gjinor” me natyrë gjithëpërfshirëse.
Mohimi i diferencës biologjike
KNSH-ja argumenton se këto koncepte, të ngritura mbi “teorinë gjinore”, mohojnë dallimin gjinor (mashkull dhe femër) dhe e zëvendësojnë atë me një koncept “të ndryshueshëm, subjektiv dhe të pasigurt identitar”, duke e shkëputur njeriun nga natyra e vet biologjike.
Dobësimi i familjes
Sipas deklaratës, kjo qasje nuk ndihmon integrimin shoqëror, por thellon individualizmin dhe dobëson “lidhjet familjare e shoqërore, që janë baza e një jete të shëndetshme komunitare”.

Roli i familjes dhe edukimi në shkolla
Një tjetër pikë kritike është ndërhyrja e projektligjit në fushën e arsimit dhe formimit moral të fëmijëve.
Komunitetet fetare shprehin shqetësimin se projektligji parashikon edukimin mbi këto çështje pa respektuar rolin parësor të familjes dhe të drejtën natyrore të prindërve për t’i edukuar fëmijët në përputhje me bindjet e tyre morale dhe fetare.
“Ekspozimi i të miturve ndaj këtyre koncepteve që në moshë të hershme, në mjedise të hapura si shkollat… mund të sjellë më shumë dëme sesa dobi për ta,” thuhet në deklaratë, duke theksuar se familja mbetet institucioni themelor dhe vendi më i përshtatshëm për trajtimin e këtyre temave.
Kritika mbi kuotat dhe sanksionet
KNSH-ja gjithashtu kritikon frymën dhe mekanizmat shtrëngues të ligjit. Komunitetet fetare shprehin shqetësimin se projektligji kërkon “barazi në rezultate, jo në mundësi”, duke vendosur kuota gjinore të detyrueshme (30-50%) që “cenojnë parimin e meritokracisë”.
Ligji, sipas KNSH-së, rrezikon të bëhet një instrument diskriminues në vetvete duke “imponuar botëkuptimin e një pakice mbi shumicën”, duke zëvendësuar dialogun me detyrimin dhe duke cenuar lirinë e ndërgjegjes.
Deklarata përfundon duke bërë thirrje që çdo ndryshim ligjor të ndërmerret me përgjegjësi dhe në frymën e dialogut, duke siguruar që barazia gjinore “të mos shndërrohet në ideologji, por të mbetet një mjet për drejtësi”.

Projektligji i ri për barazinë gjinore, risitë kryesore
Projektligji i ri sjell disa risi, të cilat synojnë integrimin e barazisë gjinore në strukturën e punës së shtetit:
- Për herë të parë, institucionet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, si dhe subjektet private, detyrohen të përdorin një gjuhë që heq stereotipet gjinore gjatë hartimit të dokumenteve, politikave dhe informacionit.
- Ligji harmonizohet me akte të tjera, duke e bërë detyrimore buxhetimin gjinor (Gender Responsive Budgeting) për njësitë e qeverisjes qendrore dhe vendore.
Çdo projektligj dhe akt normativ nënligjor do të duhet të shoqërohet me një vlerësim të ndikimit gjinor, duke siguruar që asnjë akt nuk do të thellojë pabarazitë.
Për të mbrojtur më mirë viktimat e diskriminimit, parimi i përmbysjes së barrës së provës përfshihet si parim bazë në shqyrtimin e ankesave.
Mbrojtje e zgjeruar dhe pozicionet drejtuese
Ligji zgjeron mbrojtjen nga diskriminimi për shkak të gjinisë, identitetit gjinor, shprehjes gjinore dhe karakteristikave seksuale.
Në harmoni me rekomandimet ndërkombëtare (si CEDAW), ligji parashikon arritjen e një përfaqësimi të barabartë gjinor në masën 30 – 50% në të gjitha sistemet e vendimmarrjes. Kjo kuotë do të rritet në mënyrë progresive përgjatë një periudhe 10-vjeçare. Projektligji e cilëson si diskriminim gjinor përfaqësimin nën masën 30% për secilën gjini.
Parashikohet një rregullim i posaçëm dhe i rishikuar i marrëdhënieve të punës, duke përfshirë masat kundër ngacmimit dhe dhunës, në përputhje me Konventën 190 të ILO-s. Gjithashtu, rregullohet për herë të parë Puna e Papaguar, duke ngarkuar INSTAT-in të publikojë periodikisht anketa për përdorimin e kohës dhe duke i detyruar subjektet publike dhe private të adresojnë këtë çështje.
Kulture
Shuhet ikona Brigitte Bardot, biondja seksi që revolucionarizoi kinemanë në vitet ’50
Legjenda e filmit francez, Brigitte Bardot, një ikonë e kinemasë e viteve 1950 dhe 1960, që në kulmin e karrierës la gjithçja për t’iu dedikuar aktivizmit për mbrojtjen e kafshëve mbylli sytë në moshën 91-vjeçare. Bardot ishte parë rrallë në publik gjatë muajve të fundit kur përballej me probleme shëndetësore, ndërkohë që këtë të diel fondacioni që artistja themeloi njoftoi ndarjen e saj nga jeta, pa dhënë më shumë detaje.


Albania
Vit sfidues
Opinion Nga Ilir Kalemaj
Viti që lamë pas ishte i mbarsur me sfida të shumta lokale, rajonale dhe globale. Fillimisht së brendshmi pamë gremisje të mëtejshme të standarteve demokratike, korrupsion endemik, sistemik dhe kapilar që i shartuar me krimin e organizuar na rezultoi deri në kapje shteti, duke tejkaluar skenarët më të çartur hollivudianë. Rrugë të florinjta që avullojnë para shqiptarësh, verë që shkon në miliona euro dhe fluturon natën me qilim magjik, më shumë se 40 hajdutë që hanë dardhe dhe kumbulla pas shpine të Ali babës, konkurrentë që merren peng ditën për diell nga policia që pushteti do dhe plot thagma të tjera të cilat vështirë se bëhen dhe filma gjetkë.
Përsa i përket situatës në rajon, Kosovo gjendet mes një kapërcyelli epokal që paraqet sa sfida aq edhe mundësi. Një vit për t’u harruar politik, me tre palë zgjedhje përfshirë dy sojesh parlamentare, me rreth 50 votime për të zgjedhur vetëm kryeparlamentarin, me dështimin e vetdijshëm apo jo të Kurtit për të formuar qeveri, me një sjellje ngurruese dhe pa strategji të qartë opozitare për mos të lënë vendin pa qeveri, me palët politike që rrekeshin të përftonin kapital politik ndërkohë që republika e re ballafaqohej me kriza ekzistenciale. Përsa i përket faktorëve ndërkombëtarë, nga njëra anë kemi SHBA-në, e cila jo më larg se shtatori i këtij viti njoftoi për një pezullim të pacaktuar të dialogut të planifikuar me vendin si një shuplakë të drejtuar qeverisë kujdestare Kurti, ndërkohë që masat ndëshkuese (dhe në thelb të padrejta të BE-së) pritën vetëm fundin e vitit për t’u hequr duke i shkaktuar vendit një kosto jo të vogël financiare, ekonomike por edhe me pasoja sociale. Gjithsesi me zgjedhjet e sotme, shpresa është që republika e re e Kosovës të kthehet në shinat e normalitetit politik, qëndrueshmërisë institucionale, demokracisë përfaqësuese si e vetmja “lojë në qytet” dhe shtimit të ritmit të integrimeve euro-atlantike. Kjo do të jetë dhe barra e provës dhe testi i qeverisë së re që me shumë gjasa do të jetë qeveri koalicioni, ku shanset më të mëdha anojnë nga Vetvendosja si parti e parë për të krijuar qeveri kësaj radhe me partnerë një nga partitë kryesore të opozitës, me gjasë PDK-në.
Ndërkohë politikës së uljes në shumë karrige të Serbisë, duket se po i vjen fundi, pas sanksionimit të NIS, gjuhës së ashpër të Washingtonit ndaj Vuçiqit, ngrirjes së procesit të hapjes dhe përmbylljes së grupkapitujve të negociatave, qorrsokakut të vetdijshëm në lidhje me normalizimin dhe njohjen reciproke me Kosovën, krizën e brendshme si rezultat i protestave pa ndalim dhe ekspozimit të korrupsionit shtetëror. Nga ana tjetër, situata në Bosnjë-Herzegovinë duket e ngecur, me të vetmin zhvillim pozitiv “shuplakën” ndaj Dodik-ut dhe largimit të tij por edhe retorikës së ashpër separatiste që vendoste nën presion të vazhdueshëm Sarajevën dhe testonte limitet e institucioneve të brishta. Maqedonia e Veriut vijon të jetë e kushtëzuar nga Bullgaria përsa i përket procesit të integrimit evropian, ndërsa Mali i Zi merr notën e vetme kaluese në rajon në lidhje me shpejtësinë dhe cilësinë e reformave pavarësisht problemeve të brendshme politike, që mendohet se do t’i hapin rrugën e integrimit të plotë në BE në harkun e viteve 2028-2030.
Për Shqipërinë, ndonëse ky ka qenë premtimi elektoral i socialistëve të udhëhequr nga Rama, duket se nuk ka shans që kjo të ndodhë, pasi një sërë dështimesh edhe në raport me detyrimet karshi Brukselit kanë kushtëzuar procesin. Mjaft të përmendim dështimin për miratimin dhe zbatimin e direktivave dhe rregulloreve të BE-së për energjinë dhe vendimin në lidhje me këtë të Ministerialit të Energjisë së BE-së ku Shqipëria tashmë rrezikon përjashtimin nga Traktati i Energjisë apo hetimin e OLAF-it dhe ndëshkimin për fondet e keqdrejtuara (apo më saktë të përlara) të IPARD-it i cili e ka dëmtuar edhe më tepër një sektor që zë një përqindje të konsiderueshme të PBB-së dhe ushqen mijëra familje fermerësh të ndershëm shqiptarë. Ndërkohë që fermerët në mbarë BE-në janë ngritur në revoltë për drejtimin e politikave të përbashkëta bujqësore që kanë cënuar disi sigurinë e tyre, fermerët tanë përvec ndonjë proteste sporadike, kanë zgjedhur mesa duket të largohen nga fshati drejt metropolit apo larg në emigrim.
Por vëmendja ndaj rajonit është jo vetëm në kuadër të fazave të tyre të integrimit në Bashkimin Evropian dhe vëmendjen që merr nga Brukseli rajoni që prej dekadash është konsideruar si “kopshti i pasëm” i shtëpisë së BE-së. Kthimi i vëmendjes nga Washingtoni drejt rajonit përmes “Kapitullit F për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor” në ligjin vjetor të mbrotjes së SHBA- NDAA 2026 ligjin vjetor të mbrojtjes së SHBA, ku Ballkani Perëndimor trajtohet si një hapësirë ku demokracia, korrupsioni, media, ekonomia dhe siguria kibernetike shihen si pjesë e të njëjtit problem strategjik, është një tjetër dritë shprese se mungesës së llogaridhënies nga autokratët e regjimeve klienteliste në rajon i ka ardhur fundi.
Përsa i përket ngjarjeve kryesore përqark globit, bota pa disa konflikte të vazhdueshme për të disatin vit si konflikti në Gaza, apo lufta Rusi-Ukrainë. Ndërsa për rastin e parë, plani i presidentit Trump me 20 pika duket se i ka dhënë një kornizë armëpushimi dhe mundësie të prekshme për një zgjidhje sado të dhimbshme të përkrahur nga shumica e shteteve të botës, plani i ri po 20-pikësh i dakordësuar së fundmi mes SHBA-së dhe Ukrainës pret të marrë miratimin e Federatës Ruse për të zgjidhur një konflikt thuajse 4-vjeçar, t’i jepte fund gjakderdhjes dhe humbjes së jetëve të çmuara njerëzore në konfliktin më të gjatë ndër-shtetëror në kontinentin evropian qysh prej luftës së dytë botërore.
Njëzet pikat e dakordësuara në planin e ri të paqes mes SHBA dhe Ukrainës dhe që pritet t’i propozohen zyrtarisht Rusisë janë një rrugëzgjidhje që do t’i hapte rrugën sigurimit të kufijve të jashtëm të BE-së, integrimit të Ukrainës në BE dhe rindërtimit të shpejtë të saj, garancive të sigurisë kryesisht nga SHBA por edhe nga BE, forcimit afatgjatë të marrëdhënies transatlantike brenda NATOs pavarësisht luhatjeve të muajve të fundit, si dhe krijimin e një klime besimi të domosdoshme për paqe afatgjatë dhe siguri rajonale.
Viti që po lëmë pas ka shenjuar dhe kriza të tjera që kanë prekur dhe disa nga arteriet kryesore të transportit, ka vështirësuar tregtinë botërore përmes bllokimeve të njëanshme, sanksioneve dhe tarifave, ka tjetërsuar dhe vështirësuar tregun e punës edhe për shkak të shpërthimit të investimeve në inteligjencë artificiale. Që një pjesë e mirë e parashikuesve e paralajmëron edhe një flluskë të mundshme përgjatë vitit që vjen dhe që ndeshet aktualisht me mungesë burimesh si tokë, ujë dhe energji.
Gjithashtu viti që po lëmë pas ka thelluar si kurrë më parë polarizimin socio-ekonomik me një hendek financiar që ndoshta nuk do të rikuperohet më, ku shtatë kompanitë më të mëdha kanë kaluar në vlerë dhe disa nga shtetet me ekonominë më të madhe ndërkohë që ka ashpërsuar dhe klimën politike në mbarë globin. Një vit që po rithekson nevojën e rikrijimit të sferave të influencës dhe që flet përherë e më tepër me gjuhën e diktatit të fuqisë dhe interesave shtetërore, siç në fakt ka qenë trajektorja e pjesës më të madhe të historisë politike njerëzore pavarësisht iluzionit të periudhave aftashkurtra pas luftërave botërore, qoftë asaj të parë, të dytë apo luftës së ftohtë. Një vit që ka theksuar gjithashtu nevojën për stabilitet çka e demonstron edhe rritja e pabesueshme e çmimit të arit, argjendit apo të patundshemeve në nivel global ndërkohë që ka shenjuar njëherazi edhe humbjet më të mëdha nga krimi kibernetik financiar që ka synuar kryesisht portofolet kripto.
Një zile paralajmëruese kjo dhe për nxitimin e politikanëve këtejpari që bëjnë thirrje të nxituara për fundin e cash-it në ekonomi ndërkohë që të dhënat e shqiptarëve duke nisur nga e-albania dhe akshi si gardian, janë dhunuar si kurrë më parë.
Albania
Elozhi i kujtesës
nga Mira Meksi Shkrimtare
Shënime mbi romanin ‘Engram’të Brunilda Zllamit
Shpesh kam thënë se për t’u mirëdrejtuar në xhunglën ngalakeqe të botimeve të sotme letrare, duhet feneri i filozofit cinik Diogjenit. Ndërsa ai kërkonte ‘njeriun’, sot kërkohet ‘libri letrar’. As me këtë fener në dorë nuk është e lehtë të gjendet. Mbetesh gjembaçve dhe drizave të botimit të gjithkujt që, me mendjelehtësi fëmijërore, a me shpresë se do të bëhet i pavdekshëm, i futet mjeshtërisë së tejvështirë të shkrimësisë, pa patur as më të voglën përgatitje, dhe pa asnjë grimcë talenti. Rezultati është një tmerr i vërtetë, i cili jo vetëm e ka qorollisur lexuesin, që po thyen këmbët hendekëve të librave të shkruar tmerrësisht keq, duke ia neveritur letërsinë shqipe, por edhe po dëmton rëndë gjuhën shqipe.
Në këtë panoramë të zezë të letërsisë së sotme shqipe, ka sigurisht libra të shkruar shumë mirë dhe mirë, që feksin si dritëza në errëtinë e kësaj panorama, dhe që japin shpresë për të ardhmen e letërsisë së gjuhës sonë. Ndër këto të pakta drita, për mua, është edhe romani më i fundit i shkrimtares së njohur Brunilda Zllami, Engram. Romani është realist, siç janë në përgjithësi romanet e kësaj autoreje, me elementë të shumtë dhe të spikatur të romanit psikologjik. Trajton tema, ngjarje, probleme dhe plagë të shoqërisë së sotme shqiptare, por edhe më gjerë – probleme që prekin vetë Njeriun.
Janë përsiatje mbi marrëdhëniet prind-fëmijë, mbi botë që nuk afrohen, përkundrazi: një baba që mundohet të formësojë jetën e të birit në çdo aspekt, sikur të ishte jeta e tij, apo ajo pjesë e jetës së tij që e kish dëshëruar pa e arritur dot kurrë. Duke e damkosur kësisoj jetën e të birit me fatkeqësi.
Janë përsiatje mbi hipokrizinë njerëzore, arrivizmin, moralin e nëpërkëmbur, etjen e shfrenuar për pushtet, për para- fëlligështia e njeriut e ngritur në lartësinë e vlerës në shoqërinë moderne shqiptare.
Janë përsiatje mbi dashurinë, të gjitha llojet e dashurisë: dashuritë e pamundura, të rrezikuara, dashuritë e zhbëra, ato të pavërteta, dashuritë e helmëta, dashuritë jetëshkurtra, dhe ato që lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirt. Dashuritë që të shpëtojnë jetën dhe ato që të vrasin…
Janë përisatje mbi pendesën: ‘Pendimet janë të rënda. Si gurë të çrregullt futur në një trastë që je i detyruar ta mbash në supe…..Pendimet janë të hidhura. Si lot që nuk ke derdhur, si fjalë që s’kanë buruar prej teje, si ofshama që i ke mbytur brenda’.( Engram)
Janë përsiatje mbi përballjen e njeriut me sëmundjen, me pafuqinë, me bjerrjen e trupit dhe shpirtit, me humbjen e Kujtesës. Me keq se vetë vdekja.
Janë përsiatje mbi vetsakrifikimin për të mbrojtur me vdekje dashurinë që zhbëhet nga sëmundja.
Mjeshtre e zhbirimit të psikës njerëzore, Zllami prek tejzat e trurit, pret me bisturi, rrëmon lëndën gri për të gjetur djepin, skutën, matricën e Kujtesës. Engramin. ‘ Ku jetojnë kujtimet? Në mendje, shpirt, pafundësi? Janë vetëm pjesë e qenies sonë, apo një pjesëz e koshiencës universale? Çfarë është njeriu pa kujtime?’. ‘Çfarë janë engramët? Pyet autorja dhe përgjigja vjen: ‘Janë vendi ku ruhen kujtimet’( Engram)
Personazhet në roman janë të shumtë, gjallojnë në Londër dhe Tiranë. Autorja përdor një strukturë që ka dalë të jetë e suksesshme në romanet e saj: kapituj sërë-sërë ndërtojnë secili nga një personazh, të ri gjithsaherë, si rrezet e një dielli, që konvergojnë në diell, pra në një pikë – arena ku bashkëveprojnë me njëri-tjetrin.

Pjesa më e madhe e ngjarjeve rrëfehet në retrospektivë, me anë të kujtesës a kujtimeve. Pjesët onirike të librit, sentencat e tij mbi gjithë sa thamë më sipër, janë të mrekullueshme.
Larg së qeni optimist, romani të mëkon gjithsesi me shpresën, të cilën e vendos pikërisht në ENGRAM:
‘Kujtimet janë vetja jonë. Ato na mbajnë kur mund të biem, na ngrenë kur rrëzohemi, na kthejnë në jetë kur vdesim. Të endura nga engramët si fatkrijueset e dikurshme…Janë ato që shkruhen me bojën e yjeve që na krijuan, e mbeten edhe kur jemi larguar’.( Engram)
Romani ‘Engram’, i pazakontë, i rrallë në llojin e vet, ka një gjuhë të pasur dhe fort të limuar, një shqipe të stolisur me metafora dhe fjalëformime elegante, e cila është në gjendje të mbartë dhe të na përçojë emocione të mëdha.
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Albania10 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania9 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania11 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
-
UK9 hours ago
Princi William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
-
Bota9 hours agoPresidenti i Ukrainës, Zelensky mbërrin në Mar-a-Lago, takohet me presidentin Trump
-
Kosova11 hours agoDalin Exit Poll-et e para, Vetëvendosja rikonfirmohet forcë e parë, Hamza 23.9 përqind, Abdixhiku 16.1 përqind
