Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, pjesë e rrjetit kryesor të infrastrukturës ajrore në Europë, kishte fluksin më të lartë të pasagjerëve më 2022 në rajon dhe punoi shumë më tepër se kapaciteti, vuri në dukje Komuniteti i Transportit që kujdeset për integrimin e infrastrukturës rajonale me atë të Bashkimit Europian.
Në një studim të fundit të posaçëm për infrastrukturën ajrore rajonale, Komuniteti i Transportit raportoi se gjatë vitit 2022, Aeroporti i Tiranës trajtoi gjithsej 5.2 milionë pasagjerë, shumë mbi kufirin e kapacitetit të tij rreth 3 milionë pasagjerë këtë vit. Sipas të dhënave vendase, Aeroporti i vetëm në vend, në vitin 2023, trajtoi 7,2 milionë pasagjerë, teksa kapaciteti arriti në 4 milionë pasagjerë.
Tirana do të bëhet aeroporti i parë në rajon me lidhje hekurudhore, në përputhje me kriteret TEN-T. Komuniteti i Transportit thekson se, Aeroporti i Tiranës kërkon një rinovim total për të rritur kapacitetin e përgjithshëm dhe gjatësinë e pistës. Aeroporti i Podgoricës ka transportuar gjithsej 1,322,016 pasagjerë gjatë vitit 2022, duke shfrytëzuar 132.2% të kapacitetit. Aeroporti operon ndërkombëtarisht dhe nuk ofron lidhje hekurudhore.
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës transportoi 2,9 milionë pasagjerë gjatë vitit 2022, me përqindje të kapacitetit të shfrytëzuar në 72.5% prej 4 milionë pasagjerësh. Aeroporti operon ndërkombëtarisht dhe ofron lidhje me autobus publik dhe nuk ka hekurudhë. Aeroporti i Prishtinës nuk kërkon përmirësim për të rritur kapacitetin ose gjatësinë e pistës.
Aeroporti “Nikola Tesla” i Beogradit operon ndërkombëtarisht dhe ofron lidhje transporti me autobus por nuk ka në funksion lidhje hekurudhore. Gjatë vitit 2022, Aeroporti i Beogradit ka transportuar gjithsej 3,285,760 pasagjerë dhe përqindja e kapacitetit të përdorur është 32%, që tregon se aeroporti funksionon me gjysmën e kapacitetit të tij prej 10 milionë pasagjerësh.
Aeroporti Ndërkombëtar i Sarajevës operon ndërkombëtarisht dhe ofron lidhje me autobus publik, por nuk ka lidhje hekurudhore. Sipas të dhënave, aeroporti kërkon një përmirësim për të rritur në përgjithësi kapacitetet. Më 2022 kapaciteti i tij ishte 1.37 milionë pasagjerë.
Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit operon ndërkombëtarisht dhe ofron lidhje me autobus publik, por nuk ka në funksion lidhje hekurudhore. Gjatë vitit 2022, Aeroporti i Shkupit ka transportuar gjithsej 1.269.224 pasagjerë dhe ka përdorur 39.66% që tregon se aeroporti funksionon nën gjysmën e kufirit të kapacitetit të tij prej 3.200.000 pasagjerë
Aeroporti “Shën Pali” i Ohrit funksionon ndërkombëtarisht dhe ofron lidhje me autobus publik. Gjatë vitit 2022, Aeroporti i Ohrit ka transportuar gjithsej 122,154 pasagjerë ose 30.53%, që tregon se aeroporti funksionon nën një të tretën e tij.
Aeroporti “Konstandini i Madh” i Nishit (Serbi) operon ndërkombëtarisht dhe ofron lidhje me autobus publik. Sipas të dhënave, aeroporti kërkon përmirësim për të rritur kapacitetin. Gjatë vitit 2022, Aeroporti i Nishit ka trajtuar gjithsej 430,000 pasagjerëve dhe kapaciteti i përdorur është 84%, sipas raportit./ Monitor