Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreh shqetësim për projektligjin për gjininë gjithëpërfshirëse, duke theksuar se ai nuk përputhet me vlerat themelore të familjes dhe mund të ndikojë negativisht në të ardhmen e saj.
Në një reagim zyrtar, Komuniteti nënvizon se përfshirja e termit “gjithëpërfshirës” në përkufizimin e gjinisë është shqetësuese. Sipas tyre, çdo përpjekje për të shtuar apo shpikur identitete të tjera gjinore përbën një devijim nga natyra dhe kuptimi fetar i gjinisë, si burrë dhe grua, që sipas traditës ka qenë baza e shoqërisë njerëzore.
“Përfshirja e një nocioni të paqartë, që nuk jep kufij të qartë dhe hap rrugë për interpretime të shumta, rrezikon të krijojë konfuzion, si në zbatimin e ligjit, ashtu edhe në strukturën shoqërore. Një shoqëri ka nevojë për norma të qarta dhe të kuptueshme. Ndryshime të tilla, që nuk marrin parasysh traditën, natyrën biologjike dhe moralin shoqëror, krijojnë më shumë probleme sesa zgjidhje,” thekson Komuniteti.
Sipas tyre, familja në traditën islame dhe kulturën shqiptare është ndërtuar mbi bashkimin natyror të burrit dhe gruas, dhe çdo dobësim i saj mund të cenojë kohezionin dhe stabilitetin shoqëror. Përfshirja e nocioneve të paqarta mbi gjininë, veçanërisht në statusin juridik, mund të hapë rrugë për keqinterpretime në arsimin, punësimin dhe jetën shoqërore.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shprehet gjithashtu se nuk është konsultuar për këtë projektligj dhe nuk ka informacion mbi mënyrën e hartimit të tij.
“Institucionet fetare kanë një rol të rëndësishëm në shoqëri, pasi përfaqësojnë besimin, traditën dhe vlerat shpirtërore. Çështje kaq të ndjeshme nuk mund të trajtohen vetëm në nivel teknik apo politik, pa marrë parasysh dimensionin shpirtëror dhe kulturor,” theksohet në reagim.
Ata kërkojnë që institucionet fetare të përfshihen në konsultime për të dhënë kontributin e tyre në ruajtjen e ekuilibrave shoqërorë, duke paralajmëruar se ligje që injorojnë këtë dimension mund të shkaktojnë ndasi dhe pakënaqësi në shoqëri.