Egjipti po përballet me presion çdo ditë e në rritje për të vepruar, ndërsa Gaza fqinje goditet nga sulmet izraelite pas sulmit brutal të fundjavës së kaluar në Izrael nga Hamasi.
Pas sulmeve të Hamasit, Izraeli mbylli dy pikat e tij kufitare me Gazën dhe vendosi një “rrethim të plotë” në territor, duke bllokuar furnizimet me karburant, energji elektrike dhe ujë.
Bllokimi i pikave kufitare ka shkaktuar probleme dhe ka ngritur shqetësimin për mungesë ushqimesh dhe medikamentesh nëpër spitale.
Izraeli ka lënë të hapur vetëm vendkalimin Rafah, midis Gazës dhe Egjiptit, si të vetmen rrugëdalje të mundshme për të nxjerrë njerëzit dhe furnizimet, por vendkalimi ka qenë i mbyllur për pjesën më të madhe të javës së kaluar, madje as banorët e Gazës dhe as shtetasit e huaj nuk kanë mundur të kalojnë.
Një zyrtar palestinez i kufirit tha për CNN se Egjipti kishte bllokuar portat e kalimit me pllaka betoni, ndërsa Egjipti ka mohuar këto pretendime.
Ministri i Jashtëm egjiptian Sameh Shoukry është shprehur në një deklaratë për CNN se kalimi ishte i hapur, por bombardimet ajrore i kishin bërë rrugët “të pafuqishme” në anën e Gazës.
Sipas pamjeve të siguruara nga CNN, Kamionët e ndihmave të ngarkuara me furnizime shihen duke pritur hapjen e kufirit Gaza-Egjipt, në El-Arish.
Fluturimet e ndihmave nga Jordania, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Kryqi i Kuq kanë mbërritur në qytetin egjiptian të El-Arish, afërsisht 45 kilometra larg nga Rafah, sipas pamjeve të transmetuara në televizionin shtetëror egjiptian.
Gjysmëhëna e Kuqe ka magazina plot me ndihma humanitare dhe stadiumi El-Arish është përgatitur për të akomoduar më shumë ndihma, kanë thënë zyrtarët sipas CNN.
Një aeroplan i Organizatës Botërore të Shëndetësisë që transportonte furnizime mjekësore gjithashtu u ul në Egjipt të shtunën, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së. Megjithatë, organizata është ende duke pritur për qasje humanitare përmes vendkalimit.
Nga ana tjetër, administrata Biden ka zhvilluar bisedime me Izraelin dhe Egjiptin për marrjen e ndihmës në Gaza dhe sigurimin e kalimit të sigurt për amerikanët dhe civilët e tjerë jashtë territorit.