Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan ka deklaruar se konflikti që përfshin Izraelin, SHBA-në dhe Iranin është një “luftë e paligjshme”, e zhvilluar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Sipas mediave të huaja, Erdogan tha gjithashtu se e gjithë bota po e paguan çmimin e kësaj lufte.
“25 ditët e fundit kanë treguar se, megjithëse kjo është lufta e Izraelit, bota po e paguan çmimin. Është lufta e Netanyahut për pushtet, por 8 miliardë njerëz po vuajnë pasojat”, tha Erdogan, raporton Anadolu, duke shprehur shpresën e tij se konflikti mund të përfundojë së shpejti përmes një procesi negociues, “para se të shkaktohen dëme në ekonominë globale, të cilat do të duhen vite për t’u riparuar”.
Në një fjalim televiziv pas një mbledhjeje të kabinetit në Ankara, udhëheqësi turk shtoi se “qëndrimi i paepur, maksimalist dhe radikal i Izraelit nuk duhet të lejohet të sabotojë zgjidhjet diplomatike”.
“25 ditët e fundit kanë treguar se bota po paguan çmimin për luftën e Netanyahut, e cila po prek 8 miliardë njerëz”, vazhdoi Erdogan, duke iu referuar pasojave ekonomike të konfliktit, i cili filloi me sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit.
“Turqia ishte ndër vendet e para që e kuptoi saktë procesin që e zhyti rajonin në një gjakderdhje dhune”, shtoi Erdogan, duke theksuar vendosmërinë e tij për të “mbajtur vendin tonë larg këtij unaze zjarri. Ne refuzojmë një luftë rajonale shkatërruese”.


