Bota
Kongresi paralajmëroi përfundimin e fondeve për Ukrainën, Zelensky i drejtohet Senatit amerikan për të kërkuar ndihmë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do t’i drejtohet Senatit amerikan të martën, mes përpjekjeve intensive të Shtëpisë së Bardhë për të bindur Kongresin që të miratojë urgjentisht fondet shtesë që i duhen Ukrainës për t’u mbrojtur nga agresioni rus.
Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer tha se presidenti Zelenskyy ishte ftuar të merrte pjesë virtualisht në një seancë konfidenciale në mënyrë që siç tha ai senatorët “të mund të dëgjojnë drejtpërdrejt nga ai mbi rëndësinë” e projektligjit që parashikon miliarda dollarë ndihmë për Ukrainën.
Drejtorja e Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, Shalanda Young paralajmëroi në një letër drejtuar udhëheqësve të Kongresit të hënën se në fund të vitit, Shteteve të Bashkuara do t’u mbarojnë fondet për të dërguar armë dhe ndihma në Ukrainë.
Ajo shton se kjo do të thotë që Ukraina “nuk do të jetë më në gjendje të vazhdojë të luftojë’.
Në tetor, administrata e presidentit Joe Biden i kërkoi Kongresit të miratojë afro106 miliardë dollarë për të financuar planet ambicioze të Shtëpisë së Bardhë për Ukrainën, Izraelin dhe sigurinë kufitare në Shtetet e Bashkuara.
Fondet për Ukrainën janë bërë temë debati politik, pasi disa ligjvënës republikanë në Kongresin e kontrolluar me një epërsi të lehtë nga partia e tyre, janë kundër ndihmave për Ukrainën.
Megjithatë, zonja Young shprehet në letrën e bërë publike lnga Shtëpia e Bardhë se ndërprerja e fondeve dhe dërgimit të armëve për Ukrainën do të shkonte në avantazh të Rusisë në fushën e betejës.
“Dua të jem e qartë: nëse Kongresi nuk vepron, deri në fund të vitit do të na mbarojmë burimet për të blerë më shumë armë dhe pajisje për Ukrainën, për të siguruar pajisje nga rezervat ushtarake të SHBA-së”, shkruan zonja Young.
Ndërkohë përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të BE-së takohen të martën për të diskutuar për shanset e hapjes së bisedimeve të anëtarësimit të Ukrainës në BE, sipas zyrtarëve dhe diplomatëve.
Takimi shënon fillimin e përgatitjeve për takimin e nivelit të lartë të udhëheqësve të vendeve anëtarë më 14-15 dhjetor, ku do të jepet një vlerësim për perspektivën e integrimit në BE për Ukrainën, Moldavinë, Gjeorgjinë, Bosnjën dhe vende të tjera.
Kryeministri hungarez Viktor Orban ka kërkuar që anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian të mos futet në programin e takimit të BE-së.
Në një letër që i dërgoi presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili do të kryesojë takimin në Bruksel, zoti Orban këmbënguli se fillimisht duhet të zhvillohet një “diskutim strategjik” për të ardhmen evropiane të Ukrainës dhe paralajmëroi se këmbëngulja për marrjen e një vendimi mund të shkatërrojë unitetin e BE-së.
Kryeministri Orban, i cili konsiderohet gjerësisht si një nga aleatët më të ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin në Evropë, thotë se Ukraina është “vite dritë larg” anëtarësimit në BE.
Ai u bëri thirrje udhëheqësve të BE-së që “të shmangin këtë skenar kundërproduktiv për hir të unitetit, vlera jonë më e rëndësishme”.
Ai nuk tha shprehimisht se Hungaria do të vërë veton ndaj një lëvizjeje të mundshme për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën, por një mundësi e tillë ishte e nënkuptuar.
Vendimet në lidhje me anëtarësimin në BE dhe buxhetin afatgjatë të BE-së, i cili përfshin 54.1 miliardë dollarë ndihmë për Kievin, mund të merren vetëm me konsensus nga 27 vendet anëtare.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të martën se sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit shkatërruan ose frenuan të paktën 35 dronë ukrainas.
Ministria tha në platformën Telegram se parandaloi sulmet ukrainase ndaj Gadishullit të Krimesë dhe në Detin Azov.
Ushtria e Ukrainës tha të martën se Rusia ndërmori sulme gjatë natës me 17 drone Shahed të prodhuar nga Irani dhe se mbrojtja ajrore ukrainase shkatërroi 10 prej tyre.
Ushtria tha gjithashtu se Rusia lëshoi gjashtë raketa që kishin si objektiv rajonet Donetsk dhe Kherson.
Disa informacione për këtë artikull janë nga Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.
Bota
Peskov: Rusia pajtohet me vlerësimin e Trump, bisedimet në fazën përfundimtare
Kremlini tha se pajtohet me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, se bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë janë në fazën përfundimtare.
I pyetur nga gazetarët nëse Moska ndan vlerësimin e Trump pas bisedimeve me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u përgjigj: “Sigurisht”.
Peskov refuzoi të komentojë mbi idenë e një zone të lirë ekonomike në Donbas ose mbi të ardhmen e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, i cili kontrollohet nga Rusia, duke thënë se Kremlini e konsideronte të papërshtatshme.
“Për momentin, nuk e konsiderojmë të nevojshme të japim detaje”, tha ai.
Sipas tij Ukraina duhet të tërheqë trupat e saj nga pjesa e Donbasit që ende e kontrollon nëse dëshiron paqe dhe se nëse Kievi nuk arrin një marrëveshje, atëherë do të humbasë edhe më shumë territor.
Putin dhe Trump folën të dielën përpara takimit të Trump në Miami me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se një tjetër telefonatë ishte planifikuar shumë shpejt.
Bota
Kush është “zbatuesi hije” i Shtëpisë së Bardhë me ndikim të jashtëzakonshëm te Trump
Presidenti Trump ishte i lodhur. Gjatë një takimi me ligjvënësit e grupit republikan në Shtëpinë e Bardhë gjatë verës, Trump qortoi ashpër kreun e House Freedom Caucus, Andy Harris, sepse kishte ngritur shqetësime rreth legjislacionit kryesor të presidentit për taksat dhe shpenzimet. Trump kërkoi që Harris të rreshtohej…pastaj presidenti u largua papritur nga dhoma, sipas njerëzve që morën pjesë në takim.
Pasi Trump u largua, Harris e drejtoi zemërimin e tij te James Blair, një nga këshilltarët kryesorë të presidentit. Harris e akuzoi Blair-in se donte të gjente një sfidues republikan në zgjedhjet primare për ta rrëzuar atë.
“Unë thjesht punoj për presidentin, zotëri,” u përgjigj Blair, sipas njerëzve në dhomë. Ky nuk ishte një mohim.
Blair, një operativ 36-vjeçar qeros nga Florida, të cilin kolegët e përshkruajnë si intensiv dhe të zjarrtë, është bërë një figurë tejet e rëndësishme në mandatin e dytë të Trump-it, duke bindur ligjvënësit, duke zbatuar besnikërinë ndaj Trump-it, duke formësuar mesazhet e presidentit për shëndetësinë dhe ekonominë, si dhe duke orkestruar strategjinë e Shtëpisë së Bardhë për zgjedhjet e mesmandatit të vitit të ardhshëm.
Gjurmët e tij janë aq të dukshme në planin e rishpërndarjes së zonave të Republikanwve, saqë disa ndihmës të Shtëpisë së Bardhë i referohen atij si “Blairymandering.”
Titulli i Blair-it – zëvendësshef i stafit – nuk e pasqyron plotësisht ndikimin e tij. Ai ishte në mesin e shtatë zyrtarëve të lartë, përfshirë zëvendëspresidentin dhe Sekretarin e Shtetit, që përfaqësuan administratën ë një set fotografik të fundit për Vanity Fair. Ai e përshkroi veten si një “rojtar”.
“Presidenti mbështetet tek ai jashtëzakonisht shumë,” tha Russell Vought, drejtor i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, në një intervistë.
Deri më tani, Blair i ka mbajtur republikanët kryesisht të bashkuar rreth Trump-it. Ai ndihmoi në sigurimin e kalimit të paketës së taksave dhe shpenzimeve të Trump-it, duke kufizuar largimet nga radhët e republikanëve të Kongresit dhe duke fituar mbështetjen e Harris dhe konservatorëve të tjerë.
Në një deklaratë, Harris tha se “mosmarrëveshjet nuk janë të pazakonta gjatë negociatave të nivelit të lartë” dhe e quajti punën e Blair-it “të lavdërueshme”. Një zëdhënëse e Harris hodhi poshtë pretendimin se kongresmeni ngriti mundësinë e një sfide në primare gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë.
Por përpara ka sfida të mëdha. Blair po përpiqet të shmangë humbje republikane në mesmandat. Blair po punon për të parandaluar thellimin e çarjeve në Partinë Republikane. Dhe ai do të duhet të bindë republikanët skeptikë dhe gjykatat që të pranojnë përpjekjet e tij për të riformuar hartat e Kongresit.
Jo më një “i ngurtë”
Blair u soll në fushatën presidenciale të Trump-it të vitit 2024 nga atëherë shefja e fushatës Susie Wiles, e cila tani shërben si shefe e stafit të Shtëpisë së Bardhë. Wiles dhe Blair më parë punuan për guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis, dhe më vonë u ftohën me të pasi u larguan në fillim të vitit të parë të guvernatorit në detyrë.
Një nga punët e para të Blair-it për Trump-in gjatë primareve të vitit 2024 ishte sulmi ndaj DeSantis, shpesh duke përdorur informacione rreth guvernatorit që i kishte mbledhur duke punuar për të.
Pas atentatit ndaj Trump-it në korrik 2024, Blair ndonjëherë sillte një jelek antiplumb dhe një armë në punë, kujtojnë ish-ndihmësit e fushatës.
Blair fillimisht nuk kishte një marrëdhënie të ngushtë me Trump-in, i cili u thoshte ndihmësve në atë kohë se ai ishte “i ngurtë”. Por Trump e njohu Blair-in pas zgjedhjeve dhe tani flet me të rregullisht, sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë.
Blair është kërkues, i prirur për të kritikuar dhe vazhdimisht në telefonin e tij, sipas njerëzve që e njohin. Disa në Uashington e quajnë atë “Orakulli” për shkak të njohurive të tij enciklopedike mbi të dhënat. Fjalitë e tij shpesh fillojnë me: “Presidenti dëshiron…”
“Ka një arsye pse Presidenti Trump e thërret zëvendësshefin e tij të stafit ‘James i Shkëlqyer’,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt.
Blair ndonjëherë ka përqafuar rolin e “policit të keq”, duke u dërguar lajme të vështira për t’u gëlltitur ligjvënësve. Ai u tha republikanëve që kishin shqetësime rreth paketës së taksave dhe shpenzimeve se një votë kundër legjislacionit do ishte një votë kundër presidentit dhe axhendës së tij dhe do trajtohej si e tillë, sipas njerëzve të njohur me bisedat. Kjo u pa nga disa ligjvënës si një kërcënim.
Ai shpesh këshillon ligjvënësit republikanë se si duhet të votojnë, si duhet të drejtojnë fushatat, kur nuk duhet të kërkojnë poste më të larta dhe kur Trump është i zemëruar. Ai u kujton ligjvënësve se Trump është më popullor në rrethet e tyre sesa janë ata vetë, duke sjellë ndonjëherë sondazhe për të përforcuar argumentin e tij. Ndërsa Trump ka bërë presion për të hequr *”filibuster”-in, Blair është takuar privatisht me senatorët javët e fundit për të paraqitur ndryshimet e mundshme.
Blair ka filluar t’u japë këshilla anëtarëve mbi përballueshmërinë e jetesës që nuk përputhen gjithmonë me mesazhet publike të Trump-it, duke thënë se kjo çështje do jetë në qendër të zgjedhjeve të mesmandatit.
“Jo shumë respekt”
Taktikat e Blair-it kanë zemëruar disa në Kapitol Hill. Anëtarët janë ankuar privatisht se si Shtëpia e Bardhë nuk duket se e kupton që Kongresi është një degë e barabartë e qeverisë. Disa republikanë kanë njoftuar tërheqjen në vend që të përballen me rizgjedhjen, dhe të tjerë po e konsiderojnë tërheqjen, thanë republikanët e lartë të Hill-it.
Deputetja Marjorie Taylor Greene, që po tërhiqet, shprehu zemërim te zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë në fillim të këtij viti se Blair dhe ekipi i marrëdhënieve legjislative ishin përçmues ndaj saj. Zyra e saj nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
“Nuk ka shumë respekt ndaj Kongresit”, tha Erick Erickson, një aktivist konservator.
Në një deklaratë të shkruar, Blair citoi nga fjalimi i përgatitur që Presidenti John F. Kennedy do mbante në Dallas ditën kur u vra: “Gjithmonë do ketë zëra disidentë në vend, duke shprehur kundërshtim pa alternativa, duke gjetur gabime por asnjëherë favor, duke parë errësirë në çdo anë dhe duke kërkuar ndikim pa përgjegjësi.”
Blair ka bërë presion mbi anëtarët në rrethe konkurruese që të kandidojnë për rizgjedhje pasi mori vesh se po planifikonin të tërhiqeshin ose të kërkonin një zyrë tjetër. Ndonjëherë, bisedat janë nxehur. Ai e shkurajoi ligjvënësin Mike Lawler nga kandidimi për guvernator në Nju Jork, dhe këshilloi deputetin Bill Huizenga kundër kandidimit për Senat në Miçigan, duke zemëruar këtë të fundit.
“A është ai i drejtpërdrejtë? Sigurisht. Kjo është një gjë e mirë për sa më përket mua. Një nga problemet në Uashington është se shumë njerëz janë të butë,” tha Lawler. Blair u shpreh “shumë mirënjohës” që anëtarët dëgjuan.
Muajt e fundit, Blair e ka kthyer fokusin te zgjedhjet e mesmandatit. Ai dha një prezantim në PowerPoint mbi garat dhe strategjitë e veçanta për ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë në Camp David. Dhe ai ka intervistuar kandidatë për dhjetëra gara potenciale, duke pyetur për besnikërinë e tyre ndaj Trump-it, nëse mbështesin axhendën e presidentit dhe si planifikojnë të fitojnë.
Blair e ka përshkruar veten te bashkëpunëtorët si “shumë djathtas”, por ai ndonjëherë i paraqet presidentit dhe ekipit të tij të dhëna që tregojnë dobësitë e mundshme politike të politikave të administratës. Ai ka informuar zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë mbi sondazhet që tregojnë se bastisjet e emigracionit që përqendrohen në dëbimin e kriminelëve do ishin më popullore sesa bastisjet me shtrirje të gjerë. Ai i dha Trump-it grafiqe së fundmi që tregonin se sa pesimistë ishin shumë amerikanë për ekonominë.
Në prill, Blair i prezantoi presidentit një plan agresiv për të rishikuar hartat e Kongresit në përpjekje për të mbajtur kontrollin republikan të Dhomës. Plani ishte guximshëm, por Trump-it i pëlqeu dhe i tha Blair-it të sulmonte.
Për javë të tëra, Blair u bëri presion ligjvënësve të Indianas, përfshirë kreun e Senatit shtetëror Rodric Bray, për të mbështetur një plan rishpërndarjeje të zonave të mbështetur nga Trump. Në një telefonatë natën para votimit, Blair e akuzoi Bray-n se po luante lojëra dhe po punonte kundër republikanëve. Bray i tha se rishikimi i hartave nuk ishte i duhur. Aleatët e Trump tani po paralajmërojnë të mos mbështesin krerët republikanë të shtetit në primare.
Wall Street Journal – Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani
Bota
Presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit, Tapia, rrezikon burgun
Sistemi i drejtësisë argjentinase ka ngritur zyrtarisht akuza ndaj presidentit dhe financierit të Federatës së Futbollit Argjentinas (AFA), Claudio “Chiqui” Tapia dhe Pablo Toviggino, në një hetim mbi kontributet e sigurimeve shoqërore dhe taksave të tjera. Procedurat rrjedhin nga një ankesë e paraqitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave (DGI) dhe kanë të bëjnë me taksa të papaguara që arrijnë në total mbi 19 miliardë peso, ekuivalente me afërsisht 13 milionë dollarë, gjatë dy viteve të fundit.
Parregullsitë e supozuara kanë të bëjnë me mbajtjet e TVSH-së, taksën mbi të ardhurat dhe kontributet e pensioneve midis marsit 2024 dhe shtatorit 2025. Ligji argjentinas parashikon dënime me burg nga dy deri në gjashtë vjet për këto vepra penale. Sipas prokurorisë, duke pasur parasysh dimensionin financiare të AFA-s dhe shumën e diskutuar, hetimi mund të shtrihet edhe tek anëtarët e tjerë të bordit drejtues. Ky është i pari nga tre hetimet e hapura ditët e fundit që përfshijnë menaxhmentin e lartë të federatës së futbollit.
Hetimet e tjera kanë të bëjnë me parregullsi të dyshuara financiare që lidhen me kompaninë Sur Finanzas dhe blerjen e një prone luksoze në provincën e Buenos Aires. Nga ana e saj, AFA ka mohuar akuzat, duke denoncuar një “sulm të koordinuar” nga qeveria e Presidentit Javier Milei. Përballja mes palëve vazhdon për më shumë se një vit dhe është nxitur nga plani i qeverisë për të futur modelin e shoqërisë aksionare në futboll, një propozim deri më tani i refuzuar nga AFA dhe shumica e klubeve.
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Albania17 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania1 hour agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania17 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
Albania18 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
-
UK16 hours agoPrinci William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
-
Albania1 hour agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
