Ushtruesi i detyrës së presidentit dhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se fajin nëse vendi shkon në zgjedhje të reja do ta kenë vetëm deputetët që s’kanë marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, iniciativa e Vetëvendosjes për ndryshime në Ligjin për Zgjedhje s’ka lidhje me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të shtetit.
Të premten, në ditën kur pritej të votohej për Vjosa Osmanin për presidente, Lëvizja Vetëvendosje nisi iniciativën për ndryshime në Ligjin për Zgjedhje për t’ia mundësuar diasporës votimin nëpër ambasada e konsullata. Qeveria tashmë ka dërguar në Kuvend propozimet për ndryshime. Megjithatë, një iniciativë e tillë ka hasur në kundërshti të opozitës dhe shoqërisë civile që e cilësuan “shantazh” dhe kërcënim të Lëvizjes Vetëvendosje kundër partive të cilat dështuan në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Në të njëjtën ditë, kryeministri Albin Kurti, në ditën e 11-të të mandatit, kërcënoi opozitën me zgjedhje të reja, nëse nuk i mundësohet kuorumi për ta zgjedhur Vjosa Osmanin shefe të shtetit.
E fajtor për zgjedhje të reja, sipas Konjufcës, do të ishin vetëm deputetët që s’marrin pjesë në zgjedhjen e presidentit të ri.
“Gjithçka është e qartë: Kosova shkon në zgjedhje vetëm dhe VETËM nëse ata të cilët mungojnë në seancën e zgjedhjes së Presidentes janë më shumë se 40. Vetëm ATA e marrin përgjegjësinë e zgjedhjeve të reja dhe askush tjetër. Ata të cilët e duan shtetin dhe republikën më shumë se veten, i kanë 3 opcione: a) e votojnë Vjosën; b) e qesin kundërkandidatin e tyre dhe e votojnë atë; c) votojnë kundër Vjosës. Kurse ata që duan bojkot e obstruksion – vetëm ata duan zgjedhje në Kosovë. E qartë si drita e diellit”, ka thënë ai në postimin e tij në Facebook.
Konjufca ka thënë se “askush nuk e ka pritur që kundërshtimi i të drejtave të mërgatës sonë të shkojë në këtë nivel që po e shohim”.
“Së paku në këtë çështje kam pritur konsensus të natyrshëm të partive tjera me VV-në. Ky ka qenë njëri prej qëllimeve të kahmotshme të secilit: që mërgimtarët tanë të votojnë nëpër ambasadat e konsullatat e shtetit tonë. Çka ka të keqe këtu!? Këto kundërshtime janë tronditëse për mërgimtarët tanë të cilët qe 20 vite e presin këtë vendim të rëndësishëm. Si mund te quhet ‘kapje e shtetit’ një ndryshim që ia mundëson mërgimtarëve tanë një të drejtë të mohuar padrejtësisht? Po shoh po ashtu se këtë nismë po e quajnë të ‘ngutshme’. Si mund të jetë e ngutshme një iniciativë e cila është ngritur për herë të parë nga VV-ja ne Komisionin për Legjislacion në vitin 2014? Prej asaj kohe është ngritur e ringritur disa herë. Asnjëherë nuk ka kaluar. Tash mund të kalojë meqë qytetarët kanë votuar për ndryshim”, ka vazhduar ai.
Në fund Konjufca ka thënë se LDK-ja s’mund t’i lidhë ndryshimet në Ligjin për Zgjedhjet me zgjedhjen e presidentes.
“Ajo si parti para pak ditësh zyrtarisht ka marrë vendim që do të qëndrojë në sallë. Ky është një qëndrim shumë i pjekur e racional në përpjekje për stabilitetin institucional të Kosovës të cilin e përshëndesim. Të drejtat e domosdoshme të mergatës sonë nuk janë shantazh për askënd. Është për të mirën e popullit tonë që jeton jashtë Kosovës”, ka deklaruar më tej Konjufca.