Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca kanë bërë homazhe sot tek varrezat e të vrarëve në masakrën e Çikatovës së Vjetër, në Drenas.
Osmani tha se kjo është një prej masakrave më mizore dhe më të tmerrshme e luftës së fundit në Kosovë, e cila dëshmon qëllimin shfarosës të Serbisë ndaj popullit shqiptar në Kosovë.
“Kushdo që ka dyshime rreth këtij qëllimi mjafton të vijë këtu dhe në Poklek ku nuk u kursyen as më të vjetrit, as fëmijët, e as shkrimtarët e fëmijëve në Poklek, për të treguar se qëllimi i tyre nuk ishte vetëm spastrimi etnik por edhe që ta zhdukte populli shqiptar nga faqja e dheut”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, vetëm kur të sigurohet drejtësia për këto viktima, do të ketë edhe stabilitet afatgjatë në rajon.
Ndërkaq, kryeparlamentari Konjufca tha se Çikatova e vjetër i kujton çmimin e madh që ka paguar populli i Kosovës për liri dhe pavarësi.
Ai ka thënë se ende shumë kriminelë që kanë marrë pjesë në këtë masakër janë të lirë duke mos e përjashtuar mundësinë që të jenë edhe në Kosovë.
“Masakra e Çikatovës së Vjetër është njëri prej akteve më barbare të gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Sa herë vijmë këtu e kuptojmë edhe më mirë çmimin shumë të madh që e kemi paguar si popull për lirinë e shtetit tonë, për lirinë e popullit tonë. Ende shumë kriminelë që kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në Masakrën e Çikatovës janë të lirë, janë në Serbi, nuk e përjashtojë që ndonjëri prej tyre mund të jetë edhe në Kosovë”, është shprehur Konjufca.
Sipas tij, duhet të përpilohet padi kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.