Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka marrë pjesë sot në Samitin e Dytë të Parlamentit Evropian me kryetarët e parlamenteve të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Ai në fjalën e tij ka thënë se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë të lidhura në mënyrë qenësore me qasjen e BE-së ndaj këtij rajoni të ndërlikuar e sensitiv. Ai ka thënë se në të njëjtën masë që për Ballkanin është domosdoshmëri bashkimi në familjen evropiane, po sipas të njëjtës nevojë BE-ja e ka të domosdoshme përfshirjen e BP në gjirin e vet.
Konjufca ka shtuar se mësimet e duhura janë të gatshme në histori.
“Në fillim të viteve ’90-të në Evropë ka pasur edhe forca politike shkurtpamëse të cilat krizën e shpërbërjes së Jugosllavisë e shihnin si një zjarr të jashtëm ndaj të cilit kërkohej mbajtja e një distancë e sigurt. Pse t’i djegim duart pa nevojë në një mori luftërash që nuk janë tonat – thoshte motoja e tyre. Por pikërisht kjo qasje rrezikoi që zjarri të përhapej përtej Ballkanit. Ishte pikërisht ndërhyrja ndërkombëtare politiko-ushtarake në Ballkan më 1995 e 1999 ajo që i dha shans paqes dhe e stabilizoi rajonin tonë. Qe 22 vite nuk ka më luftëra. Ato pak çështje të hapura që kanë mbetur, po i zgjidhim me bisedime. Por optimizmi dhe entuziazmi i popujve të BP për BE-në nuk është një adhurim i pakondicionuar. Në kushtet e sotme vendet e BP mund të ndjehen të lëna anash e të dezorientuara vetëm nëse shtetet kryesore të BE-së e aplikojnë doktrinën e cila quhet ‘njëherë thellim pastaj zgjerim’”, ka thënë ai.
Sipas tij, nëse krijohet një koncensus evropian ndaj kësaj strategjie, dëmi që do t’i bëhet Ballkanit Perëndimor do të jetë kolosal.
“Shpresoj shumë që projektet të cilat po shfaqen këto dy vitet e fundit nën formën e platformave të ‘bashkëpunimit rajonal’ si puna e MiniSchengenit, nuk e kanë funksionin e biberonit që e zëvendëson integrimin e BP në BE me një moratorium deri sa BE-ja ta kryejë thellimin e vet”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se po ashtu, mesazhet negative si ky që e mori Kosova qysh nga viti 2017 për liberalizimin e vizave janë kontribut që e zvogëlon frymën e vlerave evropiane në Kosovë.
“Bllokimi i këtij procesi nga disa shtete anëtare është i paarsyeshëm. E në anën tjetër, as vonesat e BE-së apo mungesat e koncensusit evropian nuk duhet të na shërbejnë si justifikim për moskryerjen e detyrave shtëpiake. Reformat në drejtësi, ekonomi, administratë e arsim janë të pazëvendësueshme. Forcimi i demokracisë dhe sundimit të ligjit, lufta e vendosur kundër korrupsionit dhe fuqizimi i transparencës, si dhe mbrojtja e pakompromis e të drejtave të njeriut dhe pakicave janë janë sine qua non i shoqërive të lira e të hapura”, ka shkruar ai.



