Disa ish-anëtarë të Forcave Speciale Britanike (SAS dhe SBS) kanë thyer heshtjen për herë të parë, duke dhënë dëshmi tronditëse për krime të dyshuara lufte të kryera nga kolegët e tyre gjatë misioneve në Irak dhe Afganistan. Në një raportim ekskluziv të BBC Panorama, ata tregojnë për vrasje të civilëve të paarmatosur, përfshirë fëmijë, të cilët janë ekzekutuar ndërsa ishin të lidhur me pranga ose në gjumë.
Një veteran i SAS tha se ekzekutimi i të ndaluarve ishte bërë “i zakonshëm”, duke përshkruar raste kur trupat vendosnin armë pranë trupave për t’i paraqitur si luftëtarë të armatosur, shkruan A2 CNN. Një tjetër dëshmitar nga SBS përshkroi sjelljen e disa ushtarëve si “barbare”, duke treguar për raste ku të plagosurit ekzekutoheshin me qëllim.
Dëshmia e më shumë se 30 ish-ushtarakëve zbulon një kulturë të heshtjes dhe pandëshkueshmërisë në radhët e Forcave Speciale, ku operacionet e natës shpesh përfundonin me vrasje të qëllimshme dhe manipulim të provave. Madje, disa skuadra mbanin shënime për numrin e vrasjeve, duke konkurruar mes tyre.
Ish-kryeministri David Cameron, sipas burimeve të BBC, është informuar vazhdimisht nga presidenti afgan Hamid Karzai për vrasjet e civilëve nga trupat britanike. Megjithatë, zëdhënësit e tij mohojnë që ai të ketë pasur dijeni për incidente të veçanta.
Hetimi publik në Mbretërinë e Bashkuar aktualisht po shqyrton vetëm një periudhë trevjeçare, ndërsa dëshmitë e reja sugjerojnë se krimet e mundshme shtrihen për më shumë se një dekadë. Ish-prokurori ushtarak Bruce Houlder ka kërkuar që hetimi të zbulojë shkallën e përfshirjes dhe dijenisë në nivelet më të larta të komandës britanike.