Konstituohet Kuvendi i Kosovës, Nenad Rashiq zgjidhet nënkryetar nga komuniteti serb. Përfundon ngërçi institucional pas 8 muajsh

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Konstituohet Kuvendi i Kosovës, ku këtë të premte ka zgjedhur Nenad Rashiqin si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb, duke përmbyllur kështu një ngërç institucional që kishte zgjatur për 8 muaj.

Rashiq ishte kandidati i vetëm i mbetur në garë, pasi në votimet e mëparshme asnjëri nga nëntë kandidatët e Listës Serbe nuk arriti të marrë mbështetjen e nevojshme nga deputetët. Kandidatët që nuk kaluan votimin përfshijnë deputetët Igor Simiq, Srdjan Popoviq, Stefan Kovaçeviq, Branislav Nikoliq, Miljana Nikoliq, Verica Çeraniq, Ljiljana Stefanoviq, Zlatan Elek dhe Slavko Simiq.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, sqaroi se nuk kishte nevojë të hidhej shorti për zgjedhje, pasi Rashiq mbeti kandidati i vetëm nga komuniteti serb dhe, sipas rregullores, ai do të votohej nga Kuvendi.

Rashiq nuk u propozua nga Lista Serbe, e cila vazhdimisht ka kundërshtuar përfaqësimin e tij si pjesë e komunitetit serb në institucione. Megjithatë, në mungesë të një kandidature tjetër të pranuar nga Kuvendi, ai u përfshi në votim dhe u zgjodh.

Deputeti serb, Nenad Rashiq, është futur si kandidat për nënkryetar të Kuvendit pa propozim direkt nga përfaqësuesi i komitetit serb.

Rashiqi mori 71 vota pro, 9 kundër, dhe 24 abstenime. Pro tij votuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkohë, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan, ndërsa Lista Serbe votoi kundër zgjedhjes së tij.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se votimi për Nenad Rashiqin lidhet me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.

“Ne votuam për Nenad Rashiqin sepse aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese dha një interpretim që nuk e kishim parashikuar. Sipas asaj që kuptuam, ai ka të drejtë të zgjidhet nënkryetar nga komuniteti serb”, tha Bajrami.

Ky zhvillim vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha Kuvendit afat prej 12 ditësh për të përfunduar konstituimin e tij, pas zgjedhjeve të mbajtura muaj më parë. Me zgjedhjen e Rashiqit, përmbyllet procesi i konstituimit të Kuvendit, pasi më herët ishin zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e tjerë.

Share This Article