Biblioteka e re në qytetin e Korçës ofron për lexuesit libra në fond të hapur dhe pajisje me skaner e sistem kërkimi dixhital që e bën këtë bibliotekë modelin e parë të modernizimit të bibliotekave në Shqipëri.
Kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo inspektoi nga afër ecurinë e punimeve në këtë bibliotekë, ku më së shumti angazhimi i stafit është përqendruar në etiketimin dhe vendosjen në rafte të mijëra librave.
“Ditë pune ne bibliotekën e re të Korçës, aty ku stafi po punon me përkushtim e orare të zgjatura për të përfunduar klasifikimin, etiketimin dhe vendosjen në rafte të mijëra librave, pjesë e fondit të pasur së kësaj biblioteke”- shprehet Filo.
Sipas tij, “ofrimi i librave në fond të hapur si edhe pajisja me skaner e sistem kërkimi dixhital, është një nga risitë e kësaj biblioteke që iu vjen në ndihmë të gjithë lexuesve, veçanërisht atyre që merren me studime, akademikëve, profesorëve e studentëve”.
“Shumë shpejt sallat e saj do të jenë të hapura për lexuesit, studiuesit dhe digital freelancer”, shprehet Filo.









