Korea e Veriut ka njoftuar se do të ndërpresë gjitha komunikimet me Korenë e Jugut, përfshirë edhe linjën mes dy liderëve të shteteve, shkruan BBC. Ka thënë se ky është hapi i parë në një seri të masave që do të marrë dhe e ka përshkruar Korenë e Jugut si “armike”.
Telefonatat e përditshme, që janë bërë në zyrën ndërlidhëse në qytetin kufitar veri-korean Kaesong, do të ndalen nga sot.
Dy shtetet kanë ngritur zyra ndërlidhëse për të reduktuar tensionet. U mor ky vendim pas bisedimeve në vitin 2017.
Korea e Veriut dhe ajo e Jugut teknikisht janë ende në luftë, pasi nuk është arritur ndonjë marrëveshje paqësore kur Lufta Koreane mbaroi në vitin 1953.
“Kora e Veriut do të ndërpres plotësisht dhe do të mbyllë linjën ndërlidhëse mes autoriteteve të Veriut dhe Jugut, që është mbajtur nëpërmjet zyrës së përbashkët ndërlidhëse…nga ora 12:00 më 9 qershor të vitit 2020”, ka njoftuar Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA).
Kanalet ushtarake të komunikimit po ashtu do të ndërpriten, ka njoftuar Korea e Jugut.
Kur zyra ndërlidhëse u mbyllë përkohësisht në janar për shkak të kufizimeve për të parandaluar përhapjen e COVID-19, kontakti mes dy shteteve u mbajt nëpërmjet telefonit.
Dy Koretë bënin telefonata ditore nëpërmjet zyrës, nga ora 09:00 deri më 17:00.
Të hënën, Korea e Jugut ka thënë se për herë të parë në 21 muaj, telefonata e mëngjesit nuk ka marrë përgjigje.
“Ne kemi arritur në një përfundim se nuk ka nevojë të ulemi me autoritetet jug-koreane dhe nuk ka çështje për të diskutuar me ta, pasi vetëm kanë rritur shqetësimin tonë”, është raportuar nga KCNA.
Kim Yo-jong, motra e liderit veri-korean, Kim Jong-un, ka paralajmëruar javën e kaluar se do të mbyllet zyra nëse Korea e Jugut nuk ndalon grupin e të ikurve nga Veriu që të dërgojnë pamflete në Veri.
Ajo ka thënë se kampanja me pamflete është akt armiqësor që shkel marrëveshjen paqësore të bërë gjatë takimit në Panmunjom në vitin 2018 mes kreut të Koresë së Jugut, Moon Jae-in dhe atij veri-korean Kim Jong-un.
Të hënën studentët nga Korea e Veriut kanë dal në rrugë për të protestuar ndaj kampanjës.