Koreja Veriore e festoi 73-vjetorin e themelimit me një paradë ushtarake të mbajtur natën në kryeqytet, raportuan të enjten mediet shtetërore, duke publikuar fotografi të personelit të veshur me rroba kundër armëve kimike e biologjike.
Udhëheqësi i shtetit të izoluar, Kim Jong-un, mori pjesë në këtë organizim. Gazeta e Partisë së Punës publikoi fotografi të personelit të veshur me rroba ngjyrë portokalli e me maska si simbol i luftës kundër koronavirusit.
Në paradë u prezantuan edhe disa armë tradicionale, si raketahedhës dhe kamionë me raketa anti-tank, por nuk u pa ndonjë raketë balistike dhe Kimi nuk mbajti fjalim, ndryshe nga tetori i vitit të kaluar, shkruan Reuters.
Ndryshe, Koreja Veriore nuk ka konfirmuar ndonjë rast me Covid-19. Regjimi i ka mbyllur kufijtë dhe ka vendosur masa të rrepta kufizuese, të cilat e kanë vështirësuar gjendjen edhe ashtu aspak të mirë ekonomike. Dyshohet se shumë njerëz janë të prekur nga uria.
Yang Moo-jin, profesor në Universitetin e Studimeve për Korenë Veriore në Seul të Koresë Jugore, tha se mungesa e armëve strategjike në paradë është shenjë se Kim Jong-uni është i përqendruar në çështjet e brendshme si ekonomia dhe pandemia.