Kufizimet për udhëtimet jo thelbësore jashtë shtetit do të qetësohen në Mbretërinë e Bashkuar nga 6 korriku, thanë ministrat.
Pushuesit do të lejohen të udhëtojnë në disa vende të Evropës pa pasur nevojë të kalojnë 14 ditë në karantinë kur të kthehen.
Ata mendohet se përfshijnë Spanjën, Francën, Greqinë, Italinë, Hollandën, Finlandën, Belgjikën, Turqinë, Gjermaninë dhe Norvegjinë – por jo Portugalia apo Suedia.
Lista e plotë e korridoreve të udhëtimit me Mbretërinë e Bashkuar do të publikohet javën e ardhshme.
Një zëdhënës i qeverisë tha se rregullat e reja do t’u japin njerëzve “mundësinë për një pushim veror jashtë vendit”, ndërsa gjithashtu do të rritnin ekonominë në Mbretërinë e Bashkuar – por theksoi se relaksimi varet nga rreziqet të cilat qëndrojnë të ulëta.
Do të futet një sistem semafori – me vendet e klasifikuara si jeshile, portokalli dhe të kuqe në varësi të përhapjes së koronavirusit. Mbretëria e Bashkuar ka të ngjarë të diskutojë marrëveshjet me vendet gjatë ditëve në vijim.
Qeveria tha se “nuk do të hezitonte të vinte frenat” nëse situata ndryshon.
Portugalia ka parë kohët e fundit një rritje të numrit të rasteve të reja brenda dhe rreth Lisbonës, ndërsa Suedia gjithashtu nuk ka gjasa të jetë në listë sepse shkalla e infeksionit atje është më e lartë se në Mbretërinë e Bashkuar. Të dyja këto vende mund të klasifikohen me të kuqe./BBC