Gara më e rëndësishme në nivel klubesh, Liga e Kampionëve, është zhvendosur në Portugali, ku do të zhvillohen ndeshjet e mbetura të këtij sezoni në kushte aspak normale dhe me ndryshime të shumta.
Pa praninë e tifozëve dhe me rregulla të rrepta do të mbahen çerekfinalet e këtij viti në Ligën e Kampionëve ku do të luhet me vetëm një ndeshje.
Jashtë Ligës së Kampionëve ka mbetur Cristiano Ronaldo me Juventusin dhe Real Madridi.
Koronavirusi preku sërish ekipet pjesëmarrëse. Atletico Madridi njoftoi se dy futbollistë kanë rezultuar pozitivë në testin e koronavirusit të bërë në Lisbonë. Për shkak të situatës me koronavirus, UEFA ka obliguar të gjitha klubet që t’i kryejnë testet para ndeshjeve për t’u siguruar se nuk ka asnjë të infektuar.
Rënia e Real Madridit ka bërë që Barcelona dhe Bayern Muencheni të mbeten skuadrat me më së shumti trofe nga ekipet që kanë siguruar çerekfinalen këtë sezon. Të dyja ekipet kanë të fituar nga pesë herë Ligën e Kampionëve dhe vetëm njëra prej tyre do ta vazhdojë rrugëtimin për ta fituar “Championsin”.
Barcelona, e udhëhequr nga kapiteni Lionel Messi, synon trofeun e çmuar për ta mbyllur sezonin së paku me një trofe, derisa Bayern Munichu kërkon ta bëjë sërish mrekullinë dhe të fitojë “tripletën”.
Te “bavarezët” në formë të lartë është sulmuesi polak, Robert Lewandowski. Në takimet e tjera Atalanta kërkon të bëjë befasinë ndaj favoritit Paris-Saint-Germaint, ndërsa Leipzigu do të ketë punë me Atletico Madridin. Manchester City që eliminoi Real Madridin, shihet favorit në letër ndaj Lyonit, që bëri befasinë duke e eliminuar Juventusin.
Liga e Kampionëve u rikthye pas rreth pesë muaj pauzë, shkaku i pandemisë COVID-19. Fillimisht, zyrtarët e shtëpisë më të madhe të futbollit evropian, kishin vendosur që ndeshjet e Ligës së Kampionëve, t’i luanin në Stamboll të Turqisë për të evituar udhëtimet në qytetet përkatëse dhe që të gjitha ndeshjet të luheshin në një vend për të evituar çdo rrezik nga koronavirusi. Megjithatë, pas konsultimeve të shumta, UEFA ndeshjet e Ligës së Kampionëve i zhvendosi në Portugali, ku do të luhen në stadiumin Estadio da Luz të Lisbonës. Këto ndeshje do të luhen nën masa të rrepta sigurie.