Përgatitjet e skuadrave gjermane për pjesën e dytë të edicionit të Bundesligës, pas pushimit të dimrit, po pengohen nga rastet me koronavirus.
Kampioni në fuqi, Bayerni, është ekipi më i prekur nga koronavirusi. Bayerni e ka shtyrë stërvitjen e së hënës në mënyrë që futbollistët dhe stafi i trajnerëve të testohen për Covid para rikthimit të fushë. Në fakt kjo është hera e dytë që Bayerni e shtyn stërvitjen për një ditë. Bavarezët kishin planifikuar që të dielën të startonin me përgatitje, por u detyruan t’i shtyjnë për të hënën shkaku i pesë rasteve me koronavirus në klub. Kapiteni Manuel Neuer, lojtarët Kingsley Coman, Corentin Tolisso e Omar Richards, si dhe ndihmëstrajneri Dino Topmoeller kanë rezultuar pozitivë. Është e paqartë nëse të infektuarit janë prekur me variantin Omicron dhe a do të mungojnë në ndeshjen kundër Borussia Moenchengladbachut që luhet të premten kur edhe rifillon Bundesliga.
Neuer, i cili ka thënë se po vuan nga simptomat e lehta, do t’i mungojnë Bayernit por nuk dihet edhe për të tjerët. Pozitivë te Bayerni kanë rezultuar të hënën edhe Lucas Hernandez e Tanguy Nianzou, ndërsa në pritje janë edhe Leory Sane, Dayot Upamecano e Josip Stanishiq, testet e të cilëve nuk janë kompletuar ende. Bayerni ka paralajmëruar edhe një raund të testimeve për të gjithë të martën në mëngjes.
Edhe Gladbachu është prekur nga koronavirusi, kurse ka raportuar katër raste – Joe Scally, Mamadou Doucoure, Denis Zakaria e Keanan Bennetts, të cilët tashmë janë në karantinë.
“Të katër futbollistët janë mirë, por ata gjenden në karantinë dhe nuk do të kthehen pa rezultuar negativë në testin për koronavirus”, ka njoftuar Gladbachu.
Prej 18 skuadrave të Bundesligës, 13 kanë raportuar raste me koronavirus.
Stuttgarti i ka katër lojtarë të izoluar në prag të vizitës te Greuther Fuerthi, duel ky që zhvillohet të shtunën. Ndaj Fuerthit, që është ekipi i fundit në tabelë, Stuttgarti do të jetë pa lojtarët si Silas Katompa Mvumpa, Naouirou Ahamada, Konstantinos Mavropanos e Mateo Klimowicz.
Borussia Dortmundi do të jetë pa të infektuarin Dan-Azel Zagadou për ndeshjen që e luan në udhëtim te Eintracht Frankfurti, po ashtu të shtunën. Ndërkohë Frankfurti i ka tashmë dy futbollistë në karantinë, të cilët janë prekur nga virusi. Dy skuadrat nga Berlini, Hertha dhe Unioni, janë në mesin e ekipeve të Bundesligës që tashmë i ka kapluar koronavirusi. Si Hertha ashtu edhe Unioni kanë njoftuar për rezultate pozitive të testeve para fillimit të pjesës së dytë të këtij edicioni në Bundesligë. Përforcimi më i ri i Hertha Berlinit, Fredrik Andre Bjorkan, është në mesin e lojtarëve të karantinuar.

