Ministri britanik i Financave u ka thënë kolegëve të tij në kabinetin qeveritar se ekonomia e vendit mund të tkurret deri në 30 për qind në çerekun e dytë të këtij viti për shkak të pandemisë.
Numri i lartë i viktimave të reja në periudha njëditore ka lënë pak shpresë se qeveria mund t’i lehtësojë masat e izolimit. Të dielën, shifra e të vdekurve nga koronavirusi në Britani shkoi në mbi 10,000 dhe një këshilltar i lartë shkencor i qeverisë tha se Britania mund të bëhet vendi më i prekur nga virusi në Evropë.
Qeveria është përballur me kritika në lidhje me masat e marra për shkak të testeve të pamjaftueshme dhe dyshimeve se reagimi i shtetit ka qenë shumë i ngadalshëm, shkruan “The Guardian”.
Gazeta “The Times” raportoi se ministri Rishi Sunak ka biseduar me kolegët e tij dhe ka thënë se është e mundshme që prodhimi vendor të bie për 25 deri në 30 për qind nga prilli deri në qershor.
Duke cituar ministra pa i identifikuar, kjo gazetë gjithashtu raportoi se ministri i financave po kërkon që masat e izolimit të lehtësohen për shkak të ekonomisë. Megjithatë, disa ministra të tjerë thuhet se e kanë kundërshtuar këtë thirrje për shkak të rrezikut nga përhapja më e madhe e virusit.