Brenda tri ditëve, koronavirusi ua ka marrë jetën tre mjekëve kosovarë. Dy prej tyre kanë vdekur mëngjesin e sotëm. Përveç COVID-19, ata kishin edhe sëmundje të tjera shoqërues.
Mjeku i parë që vdiq nga koronavirusi në vend është Fadil Zuka nga Vitia. Lajmin për vdekjen e tij e kanë dhënë familjarët e tij. Oda e Mjekëve të Kosovës ka njoftuar se Zuka është mjeku i parë në Kosovë që vdes si pasojë e COVID-19.
“Dr. Zuka i takonte gjeneratës së mjekëve që ishin të persekutuar nga regjimi serb dhe kishin bërë shumë sakrifica për t’ju shërbyer popullatës shqiptare që nga vitet e ‘90-ta. Në kohët më të vështira kishte shërbyer në Ambulanten e Shoqatës Humanitare ‘Nëna Terezë’ në Viti, pastaj në Pozheran”, shkruhet në komunikatën e OMK.
Ai ishte i infektuar me Covid-19 dhe sipas informacioneve ai vuante edhe nga diabeti.
Ndërkohë, sot kanë vdekur edhe dy mjekë të tjerë.
Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë ka njoftuar se sot ka vdekur kirurgu Ali Tolaj, i cili ishte i infektuar me COVID-19.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të spitalit, thuhet se që nga fillimi i pandemisë, Tolaj ishte në krye të detyrës duke u shërbyer pacientëve deri në ditën kur edhe vetë rezultoi pozitiv ndaj COVID-19.
“Është një humbje e madhe për sistemin shëndetësor, humbja e një mjeku që ka shërbyer me përkushtim e profesionalizëm për shume vite. Menagjmenti,koleget,gjithë stafi i Spitalit ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve”, thuhet në njoftim.
Përveç Zukës e Tolajt, nga koronavirusi ka vdekur mëngjesin e sotëm edhe reumatologu Sylejman Rexhepi.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Reumatologjisë, Avni Kryeziu.
Kryeziu ka thënë se ai ka qenë duke u trajtuar në Mjekësinë Sportive për rreth dy javë dhe kishte qenë në gjendje të rëndë.
“Ka qenë në gjendje të rëndë qe dy javë në Intensivë në mjekësinë sportive dhe fatkeqësisht sot në mëngjes më njoftuan kolegët që kanë qenë atje kujdestar se ka ndërruar jetë. Ka pasur edhe sëmundje shoqëruese, pra ka qenë me hipertension”, ka thënë Kryeziu.
Ndryshe, në Kosovë deri më tani rreth 600 profesionistë shëndetësorë janë të prekur nga virusi, prej të cilëve rreth 200 janë mjekë.