“Republika e Kosovës të ketë draftin e saj sepse ne nuk guxojmë të lejojmë që drafti i një të ashtu-quajturi ekipi menaxhues që në realitet është draft i Vuçiçit të bëhet bazë e negociatave.”
Është ky reagimi i parë i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ndaj draft-statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të përpiluar nga ekipi menaxhues.
Kryetarja e shtetit përmendi tre shtylla kryesore që duhet të merren për bazë si respektimi i kushtetutës, vendimit të gjykatës kushtetuese të vitit 2015, gjithashtu edhe i qëndrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për garantimin e sovranitetit dhe integritetit territorial.
Presidentja Osmani foli edhe për marrëveshjen për të pagjeturit duke shprehur shqetësimet e saj se Serbia mund të mos e zbatojë atë.
“Kjo është një hap i rëndësishëm në dialogun me Serbinë sepse do ta detyrojë Serbinë që të hap arkivat aty ku gjinden dëshmitë për mbi 1600 të zhdukur me dhunë të luftës në Kosovë. Natyrisht që kemi dyshime në atë që do të zbatojë Serbia.”
Presidentja Osmani këto komente i bëri pas homazheve në përkujtim të 24 vjetorit të masakrës në Studime, kur forcat serbe vranë 116 shqiptarë.
Bashkë me të ishte edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili shprehu skepticizmin e tij lidhur me arritjen e ndonjë marrëveshjeje në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit, pasi sipas tij, Serbia nuk kërkon pajtim me Kosovën.