Fitore të jashtëzakonshme e kanë vlerësuar te klubi FC Kosova Frankfurt atë përballë klubit serb, Tempo.
Në fakt, fitorja është arritur në tavolinë, 3:0.
Në fushë, përballja e 26 shtatorit të vitit të kaluar nuk e kishte gjetur fundin. Ishte ndërprerë për shkak të hedhjes së gjësendeve në fushë, me ç‘rast ishin goditur me shishe disa futbollistë të Kosovës e po ashtu edhe gjyqtari. Në atë ndeshje ka pasur edhe përkrahës shqiptarë të klubit Kosova Frankfurt. Kjo skuadër garon në kategorinë e shtatë të Gjermanisë – Kreisober Liga.
Vendimi për t’ia dhënë fitoren Kosovës është marrë të dielën.
Nënkryetari i klubit, Ruzhdi Statovci, tha të dielën për KOHËN se klubi serb është dënuar me heqje të tri pikëve, me pagesën e të gjitha seancave gjyqësore e po ashtu i është dhënë gjobë prej 2300 eurosh.
“Do t’i kryejnë të gjitha obligimet edhe për ndeshjen që do ta kemi si vendës kundër klubit serb më 1 maj të këtij viti”, ka thënë Statovci.
Ai tregon se vendimi është marrë nga shkalla e dytë.
“Në seancën e parë gjyqësore nuk kam qenë prezent dhe më njoftuan që gjyqi sportiv ka vendosur që ndeshja të mbetet me rezultatin 1:1, ose të zhvillohet edhe një herë. Por të gjithë ishim të pajtimit këtu në klub të bëjmë ankesë. Ata pretendonin se shikuesit nuk ishin tanët, por unë ua dokumentova se janë serbë të përgatitur me flamuj serbë dhe me thirrje kundër Kosovës. Dhe në shkallën e dytë kemi fituar dhe ndeshja regjistrohet me rezultat zyrtar”, ka theksuar ai.
Në ndeshjen e 1 majit, Federata rajonale do të dërgojë një delegacion të saj për të monitoruar.
“Në ndeshjen më 1 maj, ku do të jemi ne vendës, do të kryhen të gjitha shpenzimet nga klubi serb, ndërsa ndeshja do të jetë nën mbikëqyrjen e Federatës rajonale ku bëjmë pjesë ne. Vendim i parë ka qenë skandaloz, ndërsa është përmirësuar me vendimin e shkallës së dytë”, është shprehur drejtuesi i klubit shqiptar.
“Kemi qenë duke pësuar disfatë 1:0 në pjesën e parë, sepse lojtarët tanë nuk arrinin të liroheshin nga emocionet, ndërsa në pjesën e dytë ishim bindshëm skuadër më cilësore dhe arritëm ta barazonim rezultatin. Në momentin e barazimit nisën edhe gjuajtjet me shishe nga ana e tifozëve serbë. Kishte brohoritje antishqiptare. Por ne sot kemi marrë një fitore jashtëzakonisht të madhe”, ka thënë Statovci.
Statovci është edhe themelues i klubit, ndërsa mban postin e nënkryetarit.
Në Gjermani ka shumë klube amatore shqiptare që garojnë në liga të ulëta.