Kosova
Kosova e “mbytur” në import
Kosova po përballet me deficiti të thellë tregtar: importet po thyejnë rekorde, eksportet janë në rënie. Për 9-mujorin, importet ishin gati 8 herë më të larta sesa eksportet
Në tregjet e Kosovës, raftet janë të mbushura me mallra të huaja – nga buka e përditshme e deri te makinat dhe pajisjet elektronike.
Pasqyra e ekonomisë është e qartë: vendi konsumon shumë më tepër se sa prodhon. Kjo varësi e thellë nga importi ka bërë që deficiti tregtar të arrijë në nivele rekord.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, për 9-mujorin importet u rritën me gati 15%, duke arritur në 5.2 miliardë euro.
Vlera e importit në Kosovë është rritur me rreth gjysmë miliard euro në periudhën janar-shtator të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Edhe sasia e mallrave të importuara është rritur rreth 350 milionë kilogramë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024, sipas të dhënave nga Doganat. Kosova importoi mallra mbi 4.2 miliardë kg, 3.9 miliardë kg gjatë së njëjtës periudhë të 2024, 3.7 miliardë kg në janar – shtator 2023 dhe 3.5 miliardë kg mallra në janar-shtator 2022.
Përveç kësaj, sfidë tjetër e Kosovës është edhe ulja e nivelit të vlerës së mallrave të eksportuara.
Sipas ASK, në janar shtator janë eksportuar mallra me vlerë 683 milionë lekë, me një rënie prej 1% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e fortë e importeve dhe tkurrja e eksporteve kanë bërë që deficiti tregtar të thellohet më tej, duke arritur në 4.5 miliardë euro në vlerë.
Importet ishin gati 8 herë (7.7 herë) më të larta sesa eksportet.
Raporti i mbulimit të eksporteve ishte 13% për 9-mujorin nga 15% të njëjtën periudhë të 2024-s. Kjo do të thotë që eksportet janë vetëm sa 13% e importeve, një nivel ky shumë më i ulët. Për krahasim, Shqipëria e kishte këtë tregues 40% për 9-mujorin 2025.
Nivel të ngjashëm me Kosovën ka Mali i Zi, që e ka këtë raport në 15% për vitin 2024, por ky shtet ka një orientim të madh në eksportin e shërbimeve për shkak të turizmit. Vendet e tjera të Ballkanit e kanë shumë më të zhvilluar eksportin. Në vitin 2024, Serbia e kishte raportin e mbulimit të eksporteve rreth 74%; Maqedonia e Veriut, rreth 70%; Bosnja e Hercegovina, rreth 58%.
Sipas doganave, sa i përket sasisë së mallrave të eksportuara, në këtë periudhë të vitit 2025, Kosova eksportoi mallra mbi 563 milionë kg, 567 milionë kg gjatë periudhës së njëjtë 2024, 670 milionë kg në janar – shtator 2023 dhe 657 milionë kg mallra në janar-shtator 2022.
Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, pesë vendet kryesore nga të cilat Kosova ka importuar më së shumti gjatë viteve 2023 dhe 2024 janë: Turqia, Gjermania, Kina, Shqipëria dhe Greqia.
Sa u përket eksporteve, shtetet kryesore në të cilat Kosova ka eksportuar mallra gjatë vitit 2024 janë: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Zvicra dhe shtetet e tjera të Bashkimit Europian.
Shoqatat ekonomike kërkojnë nxitjen e eksporteve
Rritja e vlerës së mallrave të importuara dhe rënia e vlerës së atyre të eksportuara po konsiderohen shqetësuese nga shoqatat ekonomike të Kosovës.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thekson se sasia e mallrave të importuara është më e vogël se vlera e tyre, për shkak se, siç shpjegon ai, bashkë me mallrat e importuara, Kosova importon edhe inflacionin nga vendet e tjera.
Krahas kësaj, z.Rafuna thotë se është shqetësues fakti i rënies së vlerës së eksportit në Kosovë.
“Të dyja janë rritur. Është rritur sasia dhe vlera. Sasia është më e vogël sesa vlera.
Për arsye se dihet që ne edhe e importojmë inflacionin dhe çmimet e ndikojnë, sepse gjithmonë kur thuhet që janë rritur të hyrat në buxhetin e shtetit, asnjëherë nuk tregohet që është rritur edhe vlera e mallit të importuar. E kemi pasur 13% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo e dëshmon që është rritur vlera e mallrave të cilat i importojmë.
Bashkë me këtë, kemi importuar edhe inflacionin. Inflacioni në Kosovë është rritur me 4.5% dhe sipas ASK-së. Faktori i parë që ka ndikuar ka qenë rritja e çmimit të energjisë elektrike. Por, po ashtu edhe çmimet e produktit bazë, që të gjitha këto ne i importojmë.
Kur i importojmë, i bëjmë me çmim më të lartë. Ndërsa, si sasi është më e vogël rreth 6%. Por, është shqetësuese sepse eksporti është duke na rënë”.
Drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Kushtrim Ahmeti, thekson se kur Kosova importon produkte, ajo nuk merr vetëm sasinë e mallrave, por gjithashtu importon çmimet dhe inflacionin nga vendet e origjinës të këtyre produkteve.
Z.Ahmeti nënvizon se ka disa produkte që vijnë në sasi më të vogla, por që kanë një vlerë shumë më të lartë për shkak të rritjes së çmimit në vendet e origjinës.
Ky faktor, sipas tij, ka ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet që arrijnë në tregun kosovar, duke i bërë ato më të shtrenjta për konsumatorët.
“Për një pjesë të madhe të produkteve që vijnë prej importit, pa dyshim është edhe çmimi. Në import, përveç sasisë që merr, ti importon edhe çmimin e inflacionin e atij vendi prej ku është importuar.
Ka disa produkte që vijnë me sasi shumë më të vogël, por vlerën e kanë shumë më të madhe, për shkak se në ato vende ka pasur rritje të madhe të çmimit. Pastaj, kjo automatikisht ndikon në çmimet që vijnë në Kosovë…
Gjithmonë ka qenë shqetësuese rënia e vazhdueshme e eksporteve, sepse kjo tregon situatën që kanë bizneset tona në këtë rast. Po të kishte një situatë më të mirë, bizneset tona do të kishin rritje të vazhdueshme të eksporteve.
Ne po vazhdojmë të mbetemi një vend importues jashtëzakonisht shumë i madh”.
Z.Ahmeti thotë se bizneset në përgjithësi nuk kanë marrë mbështetje të mjaftueshme nga institucionet për t’u rritur dhe për t’u fuqizuar në treg.
“Bizneset në përgjithësi nuk kanë pasur mbështetje nga institucionet për t’u rritur dhe për t’u fuqizuar në treg, por më shumë, me këto veprime, sidomos dhe me heshtjen e vazhdueshme ndaj këtyre veprimeve nga institucionet kanë pasur një goditje të vazhdueshme ndaj bizneseve të tyre që e kanë rrezikuar shumë.
Shumë prej tyre, tashmë i kanë ndërprerë investimet që i kanë pasur për t’i bërë, ndërsa të tjerë po shikojnë mundësinë për të ikur me gjithë prodhimin nga vendi ynë”.
Edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve ka reaguar ashpër ndaj përkeqësimit të thellë të bilancit tregtar të Kosovës, duke e cilësuar situatën si alarmante dhe pasojë direkte e mungesës së politikave zhvillimore nga ana e Qeverisë së Kosovës.
AKB ka theksuar se paralajmërimet e mëhershme për rritjen e frikshme të importit tashmë po bëhen realitet.
“Kjo është pasqyra më e qartë e një ekonomie të brishtë, që konsumon produkte të gatshme nga jashtë dhe eksporton para të gatshme. Kosova po varfërohet çdo ditë, qytetarët po humbasin fuqinë blerëse dhe prodhuesit vendas po mbeten pa përkrahje. Nëse Qeveria vazhdon të heshtë, ky vit do ta gjejë Kosovën me deficitin tregtar më të thelluar në histori”.
AKB e konsideron modelin aktual ekonomik të Kosovës të dështuar duke theksuar se vendi mbështetet kryesisht në ndërtimtari dhe tregti, ndërsa sektorë strategjikë si bujqësia, prodhimi, industria nxjerrëse dhe energjia po neglizhohen.
“Kosova nuk mund të ndërtojë mirëqenie mbi konsum dhe import. Pa prodhim, eksport dhe politika zhvillimore të guximshme, vendi do të mbetet i varur dhe i varfëruar”.
Inflacioni rëndon qytetarët
Të dhënat e fundit tregojnë se inflacioni, që reflekton rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, është rritur për 4.5% në gusht krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja më e ndjeshme u regjistrua tek energjia elektrike, me 17%, e ndjekur nga produktet ushqimore dhe pijet joalkoolike, që u shtrenjtuan për 9.2%.
Për shembull, në gusht të vitit 2024, një litër vaj kushtonte 1.43 euro, krahasuar me 1.66 euro muajin e kaluar, ndërsa pakot e vezëve u shtrenjtuan nga 2.50 euro në 3.55 euro.
Situata e saj reflekton realitetin e shumë familjeve në Kosovë.
Një anketë e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), e realizuar në periudhën maj-korrik të këtij viti, tregon se 45% e qytetarëve të Kosovës e konsiderojnë koston e jetesës dhe çmimet e larta si problem kryesor – një rritje e ndjeshme krahasuar me 28% vitin e kaluar.
Pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta janë më të prekur nga rritja e çmimeve – shpesh të detyruar të heqin dorë nga produktet e caktuara ose t’i shtyjnë pagesat e domosdoshme.
Një hulumtim i publikuar vitin e kaluar nga Instituti për Politika Sociale në Prishtinë “Musine Kokalari” ka gjetur se një familje me 4 anëtarë në Kosovë shpenzon mesatarisht mbi 1.100 euro në muaj për ushqim, strehim, arsim, shëndetësi dhe transport.
Në zonat urbane, shpenzimet arrijnë mbi 1.200 euro, ndërsa në ato rurale, rreth 1.090 euro.
Paga mesatare bruto vitin e kaluar ishte 639 euro, ndërsa paga minimale 350 euro.
Sipas hulumtimit, vetëm një në pesë paga mund të konsiderohej pagë jetese. Por, edhe me rritjet e këtij viti, që e kanë çuar pagën mesatare në rreth 865 euro, shumica e familjeve nuk arrijnë t’i mbulojnë kostot bazë të jetesës./monitor.al
Kosova
Ndërron jetë ish-kryeparlamentari i Kosovës, Nexhat Daci
Ka ndrruar jetë Nexhat Daci, akademik dhe ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës njoftoi se Daci vdiq më 1 janar në moshën 81-vjeçare.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e vlerësoi kontributin e Dacit në politikë dhe shkencë.
“Kontributi i tij shumëdimensional në ndërtimin e shtetit, në zhvillimin e arsimit të lartë dhe në avancimin e shkencës do të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë sonë institucionale dhe intelektuale”, shkroi e para e shtetit në Facebook.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit në legjislaturën e nëntë, Dimal Basha, çmoi lart kontributin e Dacit në ndërtimin e institucioneve.
“Me vizion, maturi dhe përkushtim, z. Daci kontribuoi në ndërtimin e institucioneve demokratike, në forcimin e Kuvendit si zë i qytetarëve dhe në avancimin e proceseve politike në prag të shtetësisë së Kosovës”, shkroi Basha në Facebook.
Akademik Nexhat Daci, kishte qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga viti 2001 deri më 2011, ndërkaq e kishte udhëhequr organin ligjvënës për dy mandate në periudhën 2000-2004 dhe 2004-2006.
Në periudhën kur udhëhoqi Kuvendin e Kosovës ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pas vdekjes së udhëheqësit të LDK-së dhe presidentit të atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova, Daci shërbeu si ushtrues i detyrës së presidentit për rreth një muaj më 2006.
Pas ndasive me LDK-në, Daci e themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë dhe u bë kryetar i kësaj partie.
Kush ishte Nexhat Daci?
Nexhat Danci u lind më 26 korrik në Tënoc më 1944, ku përfundoi shkollimin fillor. Atë të mesëm e kreu në Leskoc, ndërkaq studimet universitare i përfundoi në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore (Dega e kimisë) në Beograd më 1966. U doktorua më 1973 në Universitetin e Zagrebit, ndërkaq studimet e posdoktoratës i vazhdoi në Angli, në Universitetin e Bradfordit më 1974.v
Pas përfundimit të magjistraturës, më 1968 ai nisi punën si asistent në Fakultetin Filozofisë në Katedrën e Kimisë. Më 1971 vazhdoi punën si ligjërues e më pas edhe si profesor në Universitetin e Prishtinës.
Gjatë punës akademike ai ka marrë pjesë në disa studime shkencore, kongrese e konferenca në mbarë botën. Ka qenë anëtar i Shoqatës Kimike amerikane që nga viti 1985 dhe i disa institucioneve të tjera ndërkombëtare. Ndërkaq, pjesë e Akademisë së Shkencave të Kosovës u bë më 1993 .
Kosova
Zgjedhjet në Kosovë, minus 52 mijë vota, si shpjegohet rënia e LDK-së?
Rreth 52 mijë vota më pak, apo minus pesë vende në Kuvendin e Kosovës – ky është bilanci i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), nëse krahasohen dy palë zgjedhjet parlamentare të mbajtura këtë vit.
Faktorët që ndikuan në këtë rënie të mbështetjes për LDK-në nga elektorati janë të shumtë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Por, sipas tyre, kryesorët janë “qasja jo e duhur e lidershipit të partisë”, mosveprimi i partisë “sipas pritjeve të elektoratit” dhe “margjinalizimi i strukturave të vjetra”, të cilat tërheqin votuesit tradicionalë të kësaj partie.
Rezultatet preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tregojnë se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më 28 dhjetor, për LDK-në votuan 119.201 qytetarë, apo 13.57 për qind e pjesëmarrësve në votime.
Në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, LDK-ja mori mbështetjen e 171.357 kosovarëve, ose të 18.27 për qind të atyre që votuan atë ditë.
LDK-ja “ia mbylli dyert vetes”
Analisti Imer Mushkolaj thotë për Radion Evropa e Lirë se arsyeja kryesore pse LDK-ja ka pësuar “rënie të madhe” në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka nisur 11 muaj më parë.
Ai rikujton qëndrimin që asokohe kishte bërë të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, se partia e tij nuk do të hynte në koalicion as me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), e cila kishte fituar 42 për qind të votave në shkurt, dhe as me dy partitë tjera, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për një qeveri eventuale të kampit ish-opozitar asokohe.
LDK-ja refuzoi ofertën e LVV-së për partneritet në qeverisje.
“Është pikërisht qasja jo e duhur e lidershipit të partisë… Unë jam i bindur që kjo ka ndikuar jashtëzakonisht shumë te logjika se si votojnë dhe si kanë votuar votuesit e LDK-së, për shkak se për mua është e pakuptimtë që një parti, e cila ekziston për të ardhur në pushtet – sikurse çdo parti tjetër – thjeshtë ia mbyll dyert vetes”, thekson Mushkolaj.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2021, LDK-ja kishte marrë vetëm 12.73 për qind të votave. Megjithatë, ajo shënoi përmirësim në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke u rritur për 5 pikë përqindjeje.
Analisti Rrahman Paçarizi konsideron se kur votuesit i rikthehen një partie, ata presin edhe veprim të saj.
“Ndërkohë, veprimi i LDK-së nuk ka ndodhur fare, apo nuk ka ndodhur ashtu siç e kanë pritur ose perceptuar ata votues, të cilët kanë menduar dhe shpresuar që LDK-ja do të jetë pjesë e institucioneve”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se LDK-ja nuk ka arritur që ta ndërtojë rrëfimin e saj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, të cilat u pasuan me zvarritje disamuajshe të konstituimit të Kuvendit. LVV-ja, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk arriti ta krijonte e vetme qeverinë e re, gjë që dërgoi vendin në zgjedhjet e parakohshme të fundvitit.
Megjithatë, trendi i rënies së numrit të votuesve të LDK-së, sipas Paçarizit, kishte nisur rreth pesë vjet më parë.
Ardhja e Abdixhikut në krye të partisë në vitin 2021 nënkuptoi edhe një ekip të ri njerëzish më të besueshëm të tij në strukturat drejtuese të partisë.
Përpjekjet për ripërtëritjen e partisë, thotë Paçarizi, nuk prodhuan edhe rezultat të mirë tek ruajtja e elektoratit.
“Mendoj se LDK-ja i ka lënë pas dore strukturat më të vjetra të saj, të cilat tashmë pothuajse janë margjinalizuar dhe janë struktura të fjetura. Votuesit e këtyre strukturave nuk bëhen elektorat i askujt tjetër, por refuzojnë të dalin për ta votuar LDK-në”, thekson Paçarizi.
Në linjë të njëjtë shpreh mendimin edhe Mushkolaj, i cili po ashtu e sheh margjinalizimin e disa prej njerëzve nga strukturat më të vjetra të LDK-së, si shkaktar të rënies së numrit të votuesve të kësaj partie.
“Të mos harrojmë se profili i votuesve të LDK-së janë edhe njerëzit në moshë mesatare dhe të shtyrë, të cilët gjatë viteve të tëra e kanë asociuar LDK-në me këta njerëz. Atëherë, mos pritni që të njëjtit kanë për t’ia dhënë votën LDK-së. Më e pakta që ata mund të bëjnë është që të abstenojnë nga votimi dhe të mos votojnë LDK-në”.
Ku shkuan votuesit e LDK-së?
Rënia e numrit të votuesve të LDK-së më 2021, rikthimi i një numri të tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe rënia e sërishme në zgjedhjet 28 dhjetorit, tregojnë se mjaft prej këtyre votuesve i takojnë “zonës së hirtë” të elektoratit.
Paçarizi shpjegon se ky elektorat është i papërcaktuar për ndonjë parti politike. Sipas tij, LDK-ja arriti të përfitojë një përqindje të mirë të këtij elektorati prej vitit 2021 e deri në shkurt 2025, kur u mbajtën zgjedhjet.
Por, siç thotë ai, brenda 11 muajve të fundit, LDK-ja nuk arriti që këtë elektorat ta mobilizonte në drejtim të saj.
“Pati mungesë të përpjekjes për t’i ftuar, për t’i apeluar votuesit që të hidhen në ‘zonën e hirtë’ ndërmjet partive politike. Ata janë votues të emancipuar, të cilët shohin programet e partive politike. Kjo ka qenë fatale për LDK-në, e cila është rikthyer në rezultatin e saj të vitit 2021”, thekson Paçarizi.
Ndërkaq, Mushkolaj vlerëson se një numër i madh i votuesve të papërcaktuar më 9 shkurt votuan për LDK-në. Por, gjatë 11 muajve të fundit, ata ndryshuan mendje.
“Një numër i madh i këtyre njerëzve që kanë votuar për LDK-në më 9 shkurt, janë kthyer te Lëvizja Vetëvendosje. Unë mendoj që kjo ka ndodhur për shkak se te LDK-ja nuk e panë qëndrueshmërinë dhe seriozitetin e një partie për të ardhur në pushtet, qoftë me opozitën, qoftë me partinë fituese”, shprehet ai.
E ardhmja e mundshme e LDK-së
Në mbrëmjen e 28 dhjetorit, pas shpalljes së rezultateve preliminare nga KQZ-ja, lideri i LDK-së pranoi mbi vete përgjegjësinë për rezultatin e ulët të partisë së tij në këto zgjedhje.
Ai paralajmëroi se së shpejti LDK-ja do të mbajë Kuvendin e përgjithshëm, për të adresuar hapat e mëtejmë, dhe nuk përjashtoi mundësinë e dorëheqjes së tij.
Lidhur me këtë çështje, Radio Evropa e Lirë kontaktoi zyrtarë të LDK-së, por ata nuk ishin të gatshëm të komentonin zhvillimet e mundshme brenda partisë.
Vëzhguesit e zhvillimeve politike i shohin paralajmërimet e Abdixhikut si një hap para dorëheqjes së tij. Ata besojnë se brenda LDK-së ka persona me ambicie për ta marrë drejtimin e timonit të LDK-së, por mbetet ende pikëpyetje se kush mund të jetë lideri i ardhshëm.
Mushkolaj thekson se ndryshimi eventual i kryesisë së LDK-së duhet të nënkuptojë edhe ndryshim të qasjes së deritashme të udhëheqjes së partisë.
“Nëse do të ketë qasje të ngjashme me këtë të Abdixhikut, nuk mendoj se LDK-ja mund të këndellet, dhe të jetë parti e fortë dhe serioze në garë kundrejt [Albin] Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje”, theksoi Mushkolaj.
Homogjenizimi i elektoratit të LDK-së, sipas Paçarizit, kërkon një lider, i cili duhet të ketë qasje përbashkuese të strukturave të partisë.
Por, siç vlerëson ai, pavarësisht ambicieve të disa personave për ta marrë drejtimin e LDK-së, këndellja e kësaj partie do të jetë e vështirë.
“Kur dihet që zgjedhjet e radhës me gjasë do të jenë pas katër vjetësh, atëherë vështirë se do të ketë një lider që do ta marrë me vullnet partinë dhe do të arrijë ta mbajë për katër vjet të ndezur elektoratin e LDK-së, në mënyrë që të shënojë ndonjë rezultat”, shprehet Paçarizi.
Rezultatet preliminare e nxorën LDK-në partinë e tretë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ajo parashihet t’i ketë 15 vende në Kuvend, ndryshe nga zgjedhjet e 9 shkurtit, kur i fitoi 20 sosh.
Lëvizja Vetëvendosje aktualisht ka siguruar 56 vende në Kuvend, PDK-ja 21, AAK-ja 6, ndërsa 20 vende të tjera janë të garantuara për komunitetet joshumicë./REL
Kosova
Kosova ngre aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën e Reçakut
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën në Reçak, kur u vranë 45 civilë më 15 janar 1999.
Ndaj O.S.,R. M., K.J., G.R., ZH.T., B.J., M.L., R.M., D.GJ., B.M., D.J., M.SH., D.A., S.V. , B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Ç.A., u ngrit aktakuzë për veprën penale “krim i luftës kundër popullatës civile”.
Ata akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore serbe, vranë 42 civilë në Reçak të Shtimes.
Prokuroria ka propozuar që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë, meqë ata janë “të paarritshëm për organet e drejtësisë” të Kosovës.
Sipas aktakuzës, në periudhën 1998-1999, të akuzuarit, si pjesëtarë të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës “243 të Mekanizuar”, Armatës së III- të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, “kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”.
Prokuroria tha se të pandehurit e kishin rrethuar fshatin Reçak nga vendet e quajtura “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”.
Më pas, sipas aktakuzës, ata e kishin granatuar fshatin, kishin kryer kontrolle shtëpi më shtëpi, dhe kishin ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar që të largoheshin nga fshati, “ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan”.
“Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.
Atëbotë, si pasojë e këtij operacioni të forcave serbe, afër 20 mijë civilë të fshatrave Reçak, Topill, Petrovë, Kraisht, Mullapolc, Dremjak ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, tha Prokuroria.
Gjykimi në mungesë, që Prokuroria Speciale ka kërkuar për këtë rast, mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022.
Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.
Por, ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.
Dokumentimin e krimeve të kryera në Reçak e kishte bërë William Walker, i cili më 1999 kishte shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO-ja i sulmoi caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndëprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.
Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
Në vitet e fundit, Kosova e ka rritur numrin e aktakuzave në mungesë për krime lufte gjatë luftës së fundit.
Më herët gjatë vitit, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.
-
Albania2 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK4 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania4 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania6 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK2 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK6 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports4 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
