Përfaqësuesja e Kosovës do të jetë e hendikepuar si asnjëherë më parë, në ndeshjen e saj historike.
Në fakt, “Dardanët” nuk do të mund të llogarisin në tetë lojtarë të rëndësishëm në ndeshjen e madhe ndaj Maqedonisë së Veriut nesër mbrëma, e vlefshme për gjysmëfinalen e “play-offit” të Ligës së Kombeve.
Trajneri Bernard Challandes nuk do të mund të llogarisë në futbollistët si Milot Rashica, Vedat Muriqi, Amir Rrahmani, Idriz Voca, Hekuran Kryeziu, Besar Halimi, Samir Ujkani e Bernard Berisha.
Sidoqoftë, trajneri zviceran ka thënë se do të mundohet ta motivojë në maksimum ekipin që e ka në dispozicion për ta bërë një paraqitje të madhe në stadiumin “Tose Proeski Arena” nesër mbrëma, në ndeshjen që do të fillojë në orën 20:45.
Në anën tjetër, maqedonasit do ta kenë vetëm një mungesë, atë të Elif Elmas, i cili ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
Fituesi i këtij dueli do të luajë në finale me Bjellorusinë ose Gjeorgjinë, në kërkim të kualifikimit historik në Euro 2020.