Ndërtimi dhe funksionalizimi i një spitali ushtarak nuk është ende në planet e shtetit, të paktën jo në ato publike.
Aktualisht në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës funksionon Qendra e Mjekësisë, e cila ofron disa prej shërbimeve bazike mjekësore, teksa është vënë synim ngritja për një nivel.
“Në këtë qendër ofrohen shërbime ambulatore si: Shërbime të mjekësisë urgjente, Mjekësi e përgjithshme, Mjekësi interne-Kardiologji, Kirurgji e përgjithshme, Psikiatri, Oftalmologji, Stomatologji, Psikologji Klinike, Shërbimi i Farmacisë dhe Shërbimi i Fizioterapisë. Të gjitha këto shërbime janë të pajisura me kabinetet e nevojshme. Gjithashtu, në këtë qendër ofrojmë shërbime diagnostike si: Kabineti i radiologjisë, Laboratori hematologjik dhe biokimik, Kabineti i Mjekësisë interne-kardiologji (EKG, Echo e zemrës, Ergometri, Holter, Spirometri), Kabineti i ORL me audiometri dhe Kabineti i Oftalmologjisë”, thuhet nga FSK-ja.
Çështje të nivelit strategjik shtetëror i vlerësoi FSK-ja pyetjet lidhur planet dhe mundësitë e ndërtimit të spitalit ushtarak.
Megjithatë, në Strategjinë e Mbrojtjes nuk përmendet askund spitali ushtarak.
Edhe pse në planin dhjetëvjeçar gjithëpërfshirës të tranzicionit është paraparë edhe avancimi i shërbimeve mjekësore, eksperti i sigurisë Drizan Shala për TV Dukagjinin vlerësoi se në rrethanat aktuale buxhetore afat-shkurta, nuk pritet ndërtimi i një spitali ushtarak.
“Nuk mund të krijohet deri më 2028, por vetëm mund të kemi ngritje të kapaciteteve dhe avancim të strukturave mjekësore brenda komponentës ushtarake të FSK-së. Por në planin afat-gjatë do të duhej të mendohej që Kosova të ketë një spital ushtarak, i cili do të kontribuonte në çështje dhe speficikione të caktuara që vijnë me mandatin dhe misionin që mund të ketë Forca e Sigurisë së Kosovës, në atëkohë do të jetë Forca e Armatosura e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Drizan Shala, ekspert i sigurisë.
Krahas vlerësimit se një i tillë duhet të buxhetohet deri më 2030, Shala theksoi se përveç shërbimeve, spitali ushtarak do të ndihmonte në ruajtjen e identitetit të pacientëve që janë pjesëtarë të strukturave të sigurisë.
“Për të krijuar institucione serioze ne do të duhej të kemi, segmente, elemente dhe instrumente, brenda këtij segmenti të sigurisë të cilët merren kryesisht me mirëqenien dhe shëndetin e pjesëtarëve, qoftë atyre policorë, të ushtrisë apo të inteligjencës, të cilët mund dhe do të duhej të kërkonin ndihmë për nevojat e tyre shëndetësore në spitalin ushtarak, ku dihet se personali i spitalit ushtarak kalon nëpër një filtër të sistemit të sigurisë dhe informacionet do të jenë konfidenciale”, ka deklaruar Drizan Shala, ekspert i sigurisë.
Ndër të rrallat herë kur një institucion i tillë mjekësor ushtarak është përmendur publikisht, është në një listë kërkesash që presidentja Vjosa Osmani e kishte paraqitur në Ditën e Forcës, më 2023.