Kompanitë e përpunimit të drurit në Kosovë, kanë arritur që ta balancojnë importin me eksportin, ka bërë të ditur drejtoresha e shoqatës së përpunuesve të drurit, Arjeta Pozhegu.
Pozhegu ka thënë në “Sot” të KTV-së, se gjatë vitit 2021, është rritur eksporti i produkteve të drurit nga Kosova, duke arritur në 220 milionë euro.
Ndërkohë, sipas saj, vlera e importit sillet rreth 230 milionë euro në vit.
“Industria e drurit ka pësuar jo rënie, por ka pasur edhe rritje të eksportit. Kjo ka qenë interesant pasi tregu vendor ishte i vogël, mirëpo ishte fati i mirë që me eksport kanë performuar mirë kompanitë me produkte të ndryshme. Kosova importon diku 230 milionë euro në vit produkte nga druri. Kemi po ashtu 220 milionë eksport. Kompanitë tona kanë arritur që ta balancojnë importin me eksport, duke e sjellë vitin e kaluar në një nivel të përafërt”, ka thënë Pozhegu.
Sipas saj, lënda e parë në Kosovë është e kufizuar, derisa deri tani si e tillë përdoret vetëm druri i ahut.
“Lënda e parë, që është ai druri është në Kosovë në masë shumë të kufizuar që përdoret një lloj druri më tepër që është dru ahu, ndërkaq pjesa tjetër e materialeve drusore që përdoren në industri është import”, ka thënë Pozhegu, duke shtuar se në Kosovë janë 1600 kompani të përpunimit të drurit.