Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se këtë javë do të dorëzojnë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Para një viti në takimin vjetor të Këshillit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në Bruksel bëmë të ditur se këtë vit do të aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sot në mbledhjen e 112 të Qeverisë po e bëjmë të ditur se aplikimin për anëtarësim në BE do ta bëjmë këtë javë”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se ka ardhur koha që statusin potencial për kandidatë që na është njohur shumë kohë më parë, ta kthejmë zyrtarisht në status kandidat duke kaluar në një fazë të re të marrëdhënieve me BE-në.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e 112-të të Qeverisë/Foto: Ridvan Slivova
“Kjo është në përputhje me aspiratat e qytetarëve që besojnë se e ardhmja jonë është brenda BE-së krahas shteteve demokratike me të cilat ndajmë vlerat e përbashkëta”, tha Kurti.
Kurti shtoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE. në njërën anë është përgjigje ndaj premtimit që BE-ja i ka dhënë për anëtarësim rajonit nga Samiti i Selanikut 2003, por edhe përgjigje direkt ndaj thirrjes së para një jave në Samitin e Tiranës.
“Krahasuar me shtetet e rajonit në kohën kur ato kanë aplikuar, Kosova është më e përgatitur me legjislacion të avancuar e të harmonizuar me BE, me institucione të qëndrueshme dhe kapacitete të plota për tu përgjigjur në pyetësorin e BE-së dhe me indikatorët më të mirë të sundimit të ligjit në rajon”, ka thënë Kurti, duke thënë se Kosova e ka vendin në BE. /