Përfaqësuesja e Kosovës do të përballet me atë të Greqisë në kuadër të kampanjës kualifikuese të Ligës së Kombeve.
Për dy ekipet përfaqësuese kjo do të jetë ndeshja e dytë në grup, teksa të dyja e nisën me fitore.
Dardanët morën tri pikë te Qipro pasi triumfuan me rezultat të pastër 0-2, derisa grekët triumfuan në udhëtim te Irlanda me rezultat 1-0.
Dy ekipet përfaqësuese e njohin mjaftë mirë njëra tjetrën, pasi ndeshja e sontme në Prishtinë do të jetë e pesta që e zhvillojnë me njëra tjetrën.
Greqia ka bilanc më të mirë në katër ndeshjet e zhvilluara me një fitore, derisa tri të tjera kanë përfunduar baras.
Kosova synon që ta marrë fitoren e parë sonte ndaj grekëve, derisa mysafirët kërkojnë mos të mposhten në kryeqytetin kosovar.
Pritet të jetë një ndeshje shumë e luftuar nga dy ekipet kombëtare që e kanë nisur me fitore dhe janë favorit për ta fituar vendin e parë në grup.
Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ pritet të jetë i stërmbushur pasi tanimë të gjitha biletat për këtë sfidë janë shitur.
Dueli mes Kosovës dhe Greqisë zhvillohet sonte me fillim nga ora 20:45.